“Më gjykojnë dhe më kritikojnë vazhdimisht”, Xavi ndjen presionin te Barcelona: Nuk e di nëse ia vlen!

08/03/2023 09:35

Barcelona duket në rrugën e mbarë drejt titullit kampion në Spanjë teksa kanë një avantazh prej 10 pikësh me Real Madrid që i ndjek në vendin e dytë.

Megjithatë, këtë sezon ajo që i rëndon katalanasit është dështimi në kompeticionet europiane teksa fillimisht u larguan në fazën e grupeve të Champions League dhe më pas Manchester United i eliminoi nga Europa League.

Pas këtyre zhgënjimeve, tifozët kanë pasur kritikat e tyre dhe së fundmi trajneri Xavi Hernandez shprehet se ai po gjykohet përgjatë gjithë kohës.

“Ndjehem i gjykuar dhe i kritikuar në mënyrë konstante. Është e vështirë sepse edhe unë kam një familje dhe një fëmijë, janë disa momente që rroga si trajner i Barcelonës nuk i justifikon të tilla fjalë. Unë e ndjej edhe pak më shumë pasi jam një tifoz i Barcelonës.
Është shumë e vështirë kur të thonë se nuk je i zoti dhe që nuk ke personalitet. Ndonjëherë nuk bie dakord me kritikat, këtu te Barcelona kam përjetuar ditët më të vështira të jetës. Ka raste që dyshoj nëse ia vlen të qëndroj, unë nuk qëndroj për arsye financiare te Barcelona. Por, unë jam i Barcelonës dhe kam si qëllim vetëm që të ndihmoj skuadrën”, u shpreh Xavi.

Top Channel