Dita Botërore e Gruas në Elbasan u kujtua me protesta dhe thirrje sensibilizuese kundër dhunës ndaj gruas dhe nxitjes së barazisë gjinore.  

Ngjarja e rëndë e 1 Marsit ku tre gra mbetën të vrara u kujtoi grave në Shqipëri se 8 Marsi nuk është një ditë feste. Por kjo ngjarje ktheu pasigurinë dhe frikën te gratë të cilat ndodhen në situata të ngjashme.

“Por protestat dhe sensibilizimet duhet tu shërbejë më shumë vajzave të reja, për të edukuar një brez që nuk pranon dhunën”, tha gruaja.

Por ashtu siç ndodh rëndom edhe kjo protestë mblodhi pak gra e vajza, zëri i tyre edhe një herë tingëlloi i pamjaftueshëm për të përçarë mentalitetin.

Shumica e grave sot veshën petkun e indiferencës  dhe me lule në duar ju bashkuan grupeve festive.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, edhe në Durrës vajza dhe gra kanë protestuar, duke marshuar paqësisht përgjatë shëtitores bregdetare të qytetit. Ato kanë përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese në mbrojtje të të drejtave të gruas, po dhe për jetët e humbura.

Këtij grupi i janë bashkuar edhe disa studente të universitetit të Parisit të cilat kanë përcjellë mesazhin “Thyej heshtjen” dhe dolën në mbrojtje dhe të të drejtave të grave në Ukrainë, atje ku vazhdon lufta dhe gratë janë nën dhunë.

“Jam Aleksandra Shevccenko dhe erdhëm në Shqipëri për të përmbushur një mision. Konstatuam se këtu dhuna është një problem i madh dhe një gruaja në 3 javë vritet nga burri a ish-partneri. Statistikat po rriten. Një nga shoqet tona është shqiptare. Edhe në Ukrainë situata është kritike. Gratë e vajzat atje po përdhunohen nga ushtarët rusë. Ka shumë krime dhe ato duhet të jenë të mbrojtura në vendin e tyre. Ne duhet të luftojmë për të drejtat tona. Mos kini frikë të denonconi”, Aleksandra Shevccenko, studente nga Ukraina.

Vetëm vitin e kaluar në Durrës janë denoncuar nga gratë e vajzat 882 raste dhune pranë policisë.

“Vetëm në 2 muajt e parë të këtij viti kemi 125 raste të dhunës në familje. Ngjarja që na shokoi të gjithëve ishte ajo e fundit kur një burrë vrau 3 gra e plagosi 3 të tjera. Duam një reagim të mirëkoordinuar që çështjet e dhunës të mos jetë një dosje më shumë, por të shihen me përparësi.”

“Këtë 8 mars mos të festojmë. Të dalim të protestojmë, të marshojmë dhe të kërkojmë të drejtat tona dhe të rrisim ndërgjegjësimin tonë dhe të burrave e grave për t’i respektuar këto të drejta”, tha një prej protestueseve.

Top Channel