Një video e bërë virale në internet, e cila tregonte ekzekutimin e një ushtari të paarmatosur ukrainas nga trupat e Moskës, u kthye në këmbanën e alarmit për Kievin.
Rusët po vrasin robërit e luftës, thonë autoritetet ukrainase, të cilat kërkojnë hetime të menjëhershme për këtë shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare.
“Vrasja e një ushtaraku ukrainas të kapur rob përben shkelje të Konventës së Gjenevës”, shkroi në rrjetin Telegram Dmytro Lubinets, komisioner për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas.
Videoja tregonte një ushtar ukrainas të paidentifikuar, i cili u qëllua për vdekje me armë automatike pasi thirri: “Lavdi Ukrainës”.
Data dhe vendndodhja e ngjarjes së rëndë, ende nuk janë konfirmuar. Konventa e Gjenevës, e vitit 1949, e nënshkruar dhe nga Rusia dhe Ukraina, parashikon që tortura, shkaktimi i qëllimshëm i plagëve, vrasja e të burgosurve të luftës, shënjestrimi i qëllimshëm i popullatës civile dhe shkatërrimi i pronës pa pasur nevoja ushtarake, konsiderohen krime lufte.
Edhe më herët Ukraina e ka akuzuar Rusinë për keqtrajtimin dhe vrasjen e të burgosurve të luftës. Kievi ka nisur hetime për krime të dyshuara të luftës, që prej nisjes së saj më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Top Channel