Durrësi kërkon më shumë turistë/ Në prag të sezonit do vendoset në funksion aplikacioni “Visit Durrës”

06/03/2023 15:26

Për të tërhequr sa më shumë turistë dhe lehtësuar kërkimin e tyre për pushimet e dëshiruara, bashkia e Durrësit po realizon aplikacionin “Visit Durrës”.

Aplikacioni i ri është në ndjekje të zhvillimeve globale për risi dhe digjitalizim të promovimit turistik të qytetit dhe trashëgimisë së tij të pasur kulturore.

“Vitin që shkoi kemi pasur mbi një milion turistë që zgjodhën Durrësin si destinacion për pushimet. Për t’u ardhur në ndihmë turizmit dhe vizitorëve kemi menduar të realizojmë një aplikacion që do të shërbejë për integrimin e të dhënave, për monumentet arkeologjike, objektet publike, ato që janë të vizitueshme si muzetë që ka qyteti, po dhe sektorin privat, siç janë hotelet dhe restorantet e qytetit”, tha Emiriana Sako, Kryetare e bashkisë Durrës.

Bazuar në kërkesat e turistëve, menaxherë të sektorit të hoteleri-turizmit shprehin nevojën për një informacion më gjithëpërfshirës, që nxit më tej zhvillimin ekonomik të Durrësit.

“Shumë turistë paraqiten në recepsionin e hotelit për të kërkuar informacion, përshembull një restorant tradicional shqiptar ku mund të shkojmë. Ata mund ta gjejnë fare lehtë këtë, që kur janë në vendin e tyre ku janë restorantet tradicionale, pikat e suvenireve, a bizneset që ofrojnë shërbime, si makina me qira etj. Është një vlerë e shtuar dhe një shërbim plus për turistët që do të vijnë në Durrës”, u shpreh Blerim Norja, Menaxher hoteli.

Aplikacioni informues, që vlerësohet si domosdoshmëri në ditët e sotme, pritet të jetë gati në prag të sezonit të ri turistik.

Operator turistik dhe qytetarë deklaruan:

“Durrësit i ka munguar kjo dhe e përgëzoj bashkinë që e ka marrë këtë nisëm. Është një avantazh për turistët që do të akomodohen në Durrës, pasi kanë nevojë për informacion.”

“Teknologjia ka përparuar dhe njerëzit janë bërë më të zhvilluar në këtë drejtim. Një ide shumë e mirë. Ia vlen si për shqiptarët që jetojnë jashtë, për të huajt dhe për ne që jetojmë këtu.”

“Mendoj se ka munguar një aplikacion i tillë për vizitorët. Pse jo dhe për ne vendasit, durrsakët.

– Ju do e përdornit?

– Po të ekzistonte, patjetër.”

Në Durrës, ka nisur puna për një sezon të suksesshëm turistik dhe mbi të gjitha për një qytet dhe plazhe më të pastra përgjatë të gjithë vijës bregdetare të Adriatikut.

Top Channel