Një aksident me pasojë pesë të plagosur ka ndodhur këtë mbrëmje në lagjen “5 Maji” në kryeqytet.

Në aksident janë përfshirë mjetet me drejtues shtetasit K. R. dhe E. P., njofton policia.

Të lënduar kanë mbetur shtetasi K. R. dhe pasagjerja që ndodhej me të, si dhe tre pasagjerët që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin E. P., njofton policia.

Përplasja ka qenë e fortë dhe këtë e tregojnë dhe dëmet e shumta që kanë pësuar automjetet, por ka qenë sistemi ‘air bag’ që ka mbrojtur shoferët dhe pasagjerët. Të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga informacionet paraprake dyshohet se një nga automjetet ka hyrë në këtë kryqëzim me semafor të kuq, duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, për këtë arsye përplasja ka qenë shumë fortë, duke shkatërruar dy automjetet.

Fatmirësisht aksidenti ka ndodhur kur në këtë zonë të banuar nuk ka pasur këmbësor të cilët mund të lëndoheshin gjatë aksidentit.

Pavarësisht kontrolleve dhe sanksioneve të policisë rrugore, ka përsëri drejtues mjetesh që shkelin kodin rrugor në mënyrë flagrante, si në këtë rast, duke hyrë në një kryqëzimin me shpejtësi të lartë ndërkohë që semafori është i kuq, veprim që mund t’i kushtonte jetën këtyre drejtuesve por dhe personave të tjerë që mund të përfshihen në aksident.

Top Channel