Ushtria ukrainase tha më 5 mars se ka zmbrapsur mbi 130 sulme të armikut në 24 orët e fundit dhe pretendoi se ka shkaktuar viktima të shumta në palën ruse.
Megjithatë, ajo nuk dha asnjë tregues lidhur me fatin e qytetit lindor të Bahmutit, të cilin forcat ruse kanë thënë se e kanë rrethuar pothuajse krejtësisht.
Kievi ka kërkuar që të vë në pah numrin e lartë të viktimave që ka shkaktuar në palën ruse në mes të ofensivave dërrmuese, duke përfshirë edhe përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të rrethuar dhe marrë kontrollin e Bahmutit, që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkaq ka tentuar të vë në pah përgatitjet e Kievit dhe mbështetjen e Perëndimit për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, si një aspekt tjetër i mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare për ukrainasit që po mbrojnë vendin e tyre nga pushtimi i paprovokuar rus që nisi një vit më parë.
Pas takimit me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidenti ukrainas tha se “detyra është që të përgatisim çdo gjë për pranimin e shtetit tonë në BE, të rrisim dërgesat me armë në Ukrainë, të forcojmë sanksionet kundër Rusisë”.
Në raportimin ditor më 5 mars, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se Rusia po vazhdon ofensivat në drejtim të Bahmutit, Avdijivkës, Limait dhe Shahtarit në Donjeck, por edhe në Kupjan në rajonin e Harkivit.
Ushtria ukrainase po ashtu tha se në 24 orët e fundit ka vrarë 930 trupa ruse. Të dyja palët nuk zbulojnë numrin e ushtarëve të tyre të vrarë dhe Radio Evropa e Lirë e ka të pamundur të verifikojë pretendimet e palëve.
Serhiy Cherevaty, zëdhënës i Forcave të Grupit Lindor të Ukrainës, i tha CNN-it më 4 mars se ushtarët ende kanë nën kontroll Bahmutin. “Po ashtu nuk ka tërheqje masive të trupave ukrainase”, tha ai.
Vetëm një rrugë nga Bahmuti thuhet se është e hapur, dhe kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se edhe ajo do të mbyllet, me raportimet që sugjerojnë se mijëra banorë që vazhdojnë të jenë në qytet, do të detyrohen të largohen.
Kievi e ka pranuar se situata rreth Bahmutit është e rëndë, por ka shtuar se ende ka trupa atje, teksa ekspertët ushtarakë perëndimorë kanë argumentuar se situata në këtë qytet është e rëndë. Për ekspertët perëndimorë, Bahmuti ka më pak vlerë strategjike sesa simbolike për Kremlinin.
Sipas ushtrisë ukrainase, Rusia ka humbur mbi 153.000 ushtarë që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022. Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë së fundmi kanë vlerësuar se numri i viktimave në palën ruse – përfshirë të vrarë dhe të plagosur – po i afrohet shifrës prej 200.000. Moska ka pranuar se ka pësuar humbje “të mëdha” dhe në shtatorin e kaluar ka raportuar për nën 6.000 viktima./REL
Top Channel