Një falje të madhe, si personale ashtu edhe në emër të të gjithë atyre që kanë qeverisur vendin prej vitesh ka kërkuar në postimin e përjavshëm të tij në rrjetin social Facebook kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, 5 ditë pas tragjedisë më të madhe hekurudhore në historinë e vendit.
“Drejtësia do të hetojë shpejt tragjedinë dhe do të caktojë përgjegjësinë pasi nuk është e mundur që në Greqinë e vitit 2023, dy trena të lëvizin në drejtime të kundërta në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën linjë dhe askush të mos ta vër re”, thekson ai.
Me interes të madh priten zhvillimet sa i përket deponimeve të përgjegjësit të stacionit të Larisës i cili përballon deri në këto momente akuzat si shkaktar kryesor i aksidentit .
Për të dytën ditë rresht ai nën masa drakoniane sigurie është çuar në gjykatën e qytetit të Larisës, në një moment që po hetohet fakti në se ndodhej apo jo në postin e tij në momentin e aksidentit. Ndërkohë përveç atij, është pezulluar nga puna edhe shefi i tij, deri sa të përfundojnë hetimet paraprake për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, siç bën të ditur operatori shtetëror i hekurudhave .
Brigadat e zjarrfikësve dhe specialistët po largojnë vagonët e fundit nga vendi i aksidentit. Njëkohësisht kanë nisur punimet e restaurimit të linjës hekurudhore ,ndërkohë që bilanci tragjik mbetet ende në shifrën e 57 viktimave prej tyre 6 me origjinë shqiptare. 55 janë identifikuar tashmë me testin e ADN, një mbetet ende i paidentifikuar dhe një person duket se është shtetas i huaj pasi nuk e ka kërkuar njeri.
Shtatë të plagosur trajtohen në repartet e terapisë intensive dhe 15 të tjerë kurohen në gjendje më të lehtë. Pas varrimeve të djeshme të disa prej viktimave edhe sot në një atmosferë zie dhe pikëllimi zhvillohen ceremonitë e varrimeve të tjera. Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë vendosi të mbajë një përkujtimore për viktimat në të gjitha kishat e vendit, pas përfundimit të liturgjisë së sotme të së dielës ortodokse.
Prej mesditës në sheshin Sintagma ka filluar një tubim i ri për viktimat e tragjedisë në Tempi, me iniciativë të sindikatave të kompanisë se trenave, punonjësit e së cilës ndodhen ende në grevë.
Mediat greke i referohen sot faktit se dita e dielë është shpallur nga qeveria shqiptare ditë zie për viktimat e aksidentit tragjik, shumica e tyre studentë dhe se në vendin fqinj flamujt do të valëviten në gjysmë shtize dhe televizionet do të ndryshojnë programet e tyre.
Top Channel