Ndërkohë që 3 grave, viktima të vrasësit Dan Hutra, po u jepet lamtumira, 3 të tjera janë në spital, si pasojë e plagëve të marra, në ngjarjen që ka tronditur vendin, shkaktuar nga një njeri që para autoriteteve deklaroi: Nuk pendohem.

Iris Luarasi nga Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza shprehet se “i gjithë sistemi ka çaluar”.

Mendoj se gjithë publiku shqiptar kur dëgjoi këtë histori, gjëja e parë që ka pyetur është se si ka mundësi një njeri, në moshë të atillë, nuk ka lënë asnjë krim pa kryer, ishte i lirë nëpër rrugët e Tiranës. Për vrasjen e gruas që e masakroi me thikë, nga 16 vjet burg që parashikonte ligji, ai u dënua me 8 vjet. Edhe për dhunën në familje, vepra penale e fundit, ai u dënua shumë pak, ndërkohë që kodi njeh 5 vite burg për dhunën në familje. Si mund të lihet i lirë një njeri kaq i rrezikshëm dhe që nuk monitorohet.

Unë mendoj se i gjithë sistemi ka çaluar. Nuk ka një hallkë që nuk çaloi, me përjashtim të komunitetit. Ky njeri i rrezikshëm u kap nga policia me ndihmën e komunitetit dhe të medias padiskutim, që e identifikuan kriminelin dhe e arrestuan, para se të kryente edhe një vrasje tjetër, siç e kishte planifikuar. Kjo është një histori që nisi 20 vjet më parë dhe kur ti e shikon me këtë sy, mendon, ore çfarë ka patur ky njeri që të gjithë këta njerëzit i ka bërë që t’u dhimbset dhe të mos i japin dënimet maksimale?

E gjitha kjo është një këmbanë alarmi, për të kuptuar që ligjet i kemi shumë të mira, por në fund të fundit, nëse ligji nuk zbatohet nuk ka asnjë vlerë, edhe sikur të jetë ligji më I mirë në botë.

 

Top Channel