Banka e Shqipërisë ka publikuar totalin e depozitave për muajin janar. Janë rreth 1.3 trilionë lekë apo 11.3 miliardë euro kursime në banka.
57% e tyre janë në valutë me rritje 5% nga një vit më parë duke arritur në totalin e 745 miliardë lekëve, ndërsa tek depozitat në lekë rritja është e papërfillshme me 0.2% në totalin e 556 miliardë lekëve.
Niveli total i depozitave është në rekord, ndërsa nga një muaj më parë ato u rritën me 1.8%. Në nivel vjetor e gjithë rritja prej 5% u udhëhoq nga depozitimet në valutë, ku pjesa më e madhe janë në monedhën euro. Në krahasim me vitin 2021 zgjerimi i tyre ka pësuar ngadalësim, kjo nxitur edhe nga format e tjera të investimit si letrat me vlerë të qeverisë apo dhe fondet private të pensioneve.
Sa i përket portofolit të kredisë, në total është më i lartë në krahasim me një vit më parë, por sa i përket kredisë së re, në janar u dha 16.5 mld lekë gati 14% më pak se një vit më parë, por duke qëndruar ende mbi mesataren pesë-vjeçare për kredinë e re(15.76 mld). Rritja e normës bazë të interesit ka dhënë efektet e saj, ndërsa edhe kushtet e kreditimit janë shtrënguar nga bankat.
Kredia e re pati rënie të theksuar nga kooporatat publike për janarin, kryesisht nga ato në sektorin energjitik si KESH apo OSHEE. Nga krahu tjetër, bizneset dhe individët rritën kërkesat e tyre të nxitur nga normat më të ulëta interesi të kredisë në euro. Bizneset rritën kredinë për kapital qarkullues dhe overdraft, ndërsa kanë ulur atë për pasuri të paluajtshme. Individët nga krahu tjetër kanë rritur kërkesën për kredi për blerje banesash, si dhe për mallra të qëndrueshëm ku përfshihen makinat.
Kjo rritje e ndjeshme e depozitave dhe kredive në euro, por edhe e rritjes së kredidhënies në valutë, po shkon kundër politika të deeuroizimit që ndjek Banka e Shqipërisë, ndërsa edhe kursi I këmbimit ka hyrë në një nivel të ri, ku prej disa muajsh tashmë po këmbehet me 117 – 155 kundrejt lekut.
Top Channel