Maqedonia e Veriut rrezikohet nga një valë e re e rritjes së çmimeve

26/02/2023 09:52

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut druajnë nga një vale e re e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, pas paralajmërimeve të zyrtarëve se mund të ndërpresin subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë private.

Autoritetet qeveritare maqedonase kishin paralajmëruar se çmimet e produkteve bazë do të uleshin për të paktën 10 për qind, pas vendimit të ekzekutivit për subvencionimin e rrymës për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore.

Sipas vendimit të Qeverisë maqedonase, të gjitha kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë – sikurse vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte të qumështit, ato të industrisë së mishit dhe shpezëve – nga 1 dhjetori do të marrin subvencionim prej 80 eurosh për një megavat të shpenzuar të energjisë.

Disa qytetarë të Shkupit thonë për Radion Evropa e Lirë se me të ardhurat që marrim dhe çmimet që kanë arritur kulmin nuk arrijnë të sigurojnë as gjërat më elementare për jetë. Ata thonë se rritja e çmimeve është bërë përditshmëri, por se gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse sektori privat dhe qeveria nuk merren vesh për stabilizimin e çmimeve.

“Si duket rritja e çmimeve nuk do të ndalet. Zoti na ndihmoftë! Nuk di si do t’ia dalim, pasi me këto të ardhura që marrim nuk po mundemi të dalin në fund të muajit. Nuk ka asnjë artikull ushqimor që nuk është shtrenjtuar dhe më së shumti buka”, thotë Dime, punëtor në një fabrikë tekstili.

“Çfarë do të bëhet me ne që jemi pensionist.. të gjithë artikujt janë shtrenjtuar, në veçanti buka dhe mielli. Ne jemi pakicë në shtëpi, por ata që kanë më shumë anëtarë do ta kenë shumë më të vështirë”, thotë Ajla, pensioniste.

“Çfarë të them, gjithçka është shtrenjtuar. Unë me 1.000 denarë (15 euro) futem në dyqan dhe dal thuajse me gjysmën e produkteve që merrja para rritjes së çmimeve. Nëse kështu vazhdon nuk do të marr as çerekun e asaj që blija më parë”, thotë Cvetanka, e cila jeton vetëm një pagë minimale të bashkëshortit të saj.

Disa banorë shqetësim kryesor kanë rritjen e çmimit të bukës dhe miellit, pasi produktet e tjera i shohin si luks.

“Mielli është shtrenjtuar shumë. Nëse më parë blija një thes prej 50 kg tani mezi arrij të blej 25 kg”, thotë Ahmeti, punëtor krahu.

Njoftimi mbi mundësinë që kompanive private do t’u ndërpriten subvencionet për energjinë elektrike erdhi nga drejtuesit e Qeverisë maqedonase, pasi ato nuk ulen çmimet e produkteve ushqimore edhe pse ishin ndihmuar me shuma të majme nga Ministria e Ekonomisë.

Rreth 250 kompani për muajt dhjetor, janar dhe shkurt kanë paguar vetëm se gjysmën e faturës së energjisë elektrike, shumë tjetër prej rreth 2 milion euro është mbuluar nga shteti, me kusht që të mos rrisin çmimet.

Por, sipas të dhënave të entit të statistikës, çmimet jo vetëm që nuk janë ulur por kanë shënuar rritje të madhe, në veçanti buka, mielli, qumështi, mishi, prodhimet e mishit, vaji, sheqeri e kështu me radhë.

Një bukë prej 500 gramëve para luftës në Ukrainë shitej me 27 denarë, apo rreth 0.50 centë ndërsa tani e njëjta peshon 400 gramë dhe shitet me rreth 50 denarë apo afër 1 euro.

“Sipas të dhënave paraprake, 60 apo 70 për qind e kompanive nuk e kanë respektuar vendimin për uljen e çmimeve. Ato kanë vazhduar të mbajnë çmimet që ishin në muajin nëntor, para se të hyjë në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë. Prandaj Ministria e Ekonomisë do ti propozojë Qeverisë heqjen e kësaj mase”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Organizata e konsumatorëve thotë se sjellja e kompanive ishte jo korrekte dhe në dëm të qytetarëve andaj kërkon që jo vetëm të ndalen subvencionet, por edhe të kthehen mjetet që i kanë marrë.

“Atyre duhet tu kërkohet që t’i kthejnë të gjitha paratë që kanë marrë nga shteti dhe të njëjta të vihen në dispozicion të qytetarëve, apo ato para të përdoren për subvencione për energjinë e gjelbër”, thotë Marijana Llonçar, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve.

Ajo thotë se kompanitë jo vetëm që kanë ngritur çmimet por kanë ulur peshën e produkteve duke bërë fitime të dyfishta në dëm të qytetarëve, të cilët edhe kanë paraqitur, sipas saj, qindra anketa në adresë të organizatës që drejton.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, thonë se masa mund të merren ndaj kompanive që kanë shkelur marrëveshjen, por jo edhe ndaj atyre që e kanë respektuar të njëjtën.

“Ato kompani që sipas marrëveshjes nuk i kanë ulur çmimet duhet të kalojnë në tregun e lirë dhe tu hiqen subvencionet, por për ato që e kanë respektuar atë masa duhet të vazhdojë. Secila kompani do të bëjë analizën e saj të brendshme, nuk do të paragjykoja vendimet e tyre, por mund të ndodhë të ketë rritje të çmimeve të produkteve ushqimore”, tha Goran Georgievski, nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA