Ish-bashkëshorti i një modeleje të re dhe tre të afërm të tij janë arrestuar pasi trupi i vajzës u gjet brutalisht i copëtuar.
Policia në Hong Kong tha se ish-vjehrri i modeles Abby Choi kishte planifikuar vrasjen e tmerrshme, teksa pjesë të trupit të saj u gjetën në frigoriferin e një shtëpie me qera në qytet.
28 vjeçarja Abby, ishte një modele me perspektivë që ishte shfaqur në kopertinën e një reviste këtë muaj në Monaco.
Policia bëri zbulimin e tmerrshëm në një shtëpi të fshatit bregdetar Lung Mei, rreth një orë larg qendrës së qytetit.
Oficerët hynë me forcë në shtëpinë e marrë me qera nga ish-vjehrri i viktimës dhe zbuluan pjesët trupore njerëzore në frigorifer, si dhe kartën e identitetit të viktimës e sende të tjera që i përkisnin.
Pjesë njerëzore u zbuluan në zona të tjera të shtëpisë por koka dhe pjesë të tjera të trupit ende nuk janë gjetur, thanë zyrtarët.
Pas një operacioni kërkimi, zyrtarët arrestuan ish-bashkëshortin e Abby, prindërit e tij dhe vëllanë, si të dyshuar për vrasjen, shkruan rrjeti vendas South China Morning Post.
Policia tha se ish-bashkëshorti i Abby, i njohur gjithashtu si Alex Kwong kishte në plan të largohej me një barkë shpejtësie, ndërsa babai i tij, ish-polic kishte organizuar vrasjen, të cilën policia e quante “me paramendim dhe të planifikuar mirë”.
Autoritetet besojnë se Abby kishte konflikte financiare me ish-burrin, në lidhje me një shtëpi në Hong Kong me vlerë 11 milionë dollarë, të cilën ajo kërkonte ta shiste.
Në zonën bregdetare janë dislokuar zhytësa në kërkim të pjesëve trupore të pagjetura të trupit të Abby, raportonte rrjeti vendas The Strait Times.
Lajmi është pritur me tmerr në Hong Kong, teksa vetëm javën e kaluar Abby kishte shpërndarë foton e kopertinës së revistës për 90,000 ndjekësit në Instagram.
Në fillim të këtij muaji ajo kishte shpërndarë një video të vetes në shfaqjen e modës Dior Fashion Show në Paris.
Top Channel