Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhanë alarmin e thanë se se kanë parë prova se Republika Popullore e Kinës po shqyrtojnë mundësinë për dërgimin e armëve të zjarrit në Rusi për përdorimin e tyre në luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se nuk pret “iniciativë masive” prej Kinës në këtë drejtim.
Vetëm pak ditë më parë, vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka thënë transmetuesit amerikan CBS, se Kina është duke “shqyrtuar mundësinë e dërgimit të mbështetjes vdekjeprurëse” te Moska, duke nisur nga “municioni e deri te armët”. Bideni tani duket se I ka tërhequr mbrapsht komentet e Blinkenit.
“Nuk pres – nuk kemi parë diçka të tillë ende – por nuk pres iniciativë masive nga ana e Kinës për t’i ofruar armë Rusisë. Kam pasur një bisedë me presidentin kinez, Xi Jinping në verën e kaluar, ku iu bënë të qarta pasojat nëse i ofrohen armë Rusisë. Pa ndonjë miratim qeveritar, 600 korporata amerikane e kanë lënë Rusinë – nisur nga McDonald’s e deri te Exxon. Dhe i kam thënë, ‘nëse edhe ju përfshiheni në këtë brutalitet, të mbështetjes së brutalitetit që është duke u zhvilluar, ju mund të përballeni me pasoja të njëjta.“- u shpreh Biden.
Blinken ndërkohë paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mos mashtrohet nga thirrjet për një armëpushim të përkohshëm ose të pakushtëzuar në Ukrainë. Paralajmërimi i Blinkenit erdhi disa orë pasi Kina bëri thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës si pjesë e planit të saj 12-pikësh, që kryesisht përsërit qasjen e Pekinit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
“Çdo paqe që legjitimon marrjen e tokës nga Rusia përmes forcës do të dobësojë Kartën e OKB-së dhe do të dërgojë mesazh te të gjithë shtetet kudo në botë që duan të bëhen agresorë, se ata mund të pushtojnë shtete të tjera dhe të mos ndëshkohen”, tha kryediplomati amerikan.
Top Channel