“Bboooni, state bboooni”, kushedi sesa herë e ka përmendur këtë shprehje të tij, të famshme tashmë, në 4.480 puntatat e show-t të vet, që i mbante emrin dhe që shënjoi për 41 vjet mbrëmjet e televizioneve italiane.
Maurizio Constanzo, i konsideruar si njeriu që “shpiku” talk-shown e vendit fqinj, është shuar në moshën 84 vjeçare. Gazetar, moderator, autor programi, skenarist, Costanzo la shenjën e tij në dhjetëra programe radiofonike e televizive, në komedi teatrale e në një numër të madh librash.
Megjithatë, emri i kësaj figure tejet të vlerësuar të televizionit italian do të lidhje më së shumti me Maurizio Costanzo show. Nëse Bruno Vespa thotë Corriere della Sera, riprodhoi në ekran një dhomë të tretë parlamentare, Costanzo krijoi “sallonin mediatik”, që nisi tek Rete4 për t’u zgjeruar tek Canale 5 si një vend tranzicioni e diskutimesh, siç nuk ishte bërë më parë.
Maurizio e filloi punën si reporter për Paese Sera në vitin 1956. U deshën shtatë vite të tjera për të bërë debutimin e tij si autor në radio tek Rai. E nisi me hapa të vegjël për t’u bërë personalitet shumëdimensional i televizionit Italian.
Që prej 1995 ishte i martuar me një figurë tjetër të famshme të televizionit Italian, Maria De Filippi, e cila mësoi shumë prej tij. Ai i mbylli sytë në Romë, aty ku kishte lindur dhe ku kaloi të gjithë jetën e tij. Constanzo u kthye në trampolinën e shumë emrave të njohur në Itali, të cilëve u mjaftuan ato 15 minuta famë për tiI hapur rrugën e karrierës.
Top Channel