“Fyerje për ndërgjegjen kolektive”, Kreu i OKB-së dënon pushtimin rus

23/02/2023 09:16

“Fyerje për ndërgjegjen kolektive të botës”, kështu e cilësoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pushtimin rus të Ukrainës në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku u debatua për miratimin e një mocioni që mbështet Kievin dhe i kërkon Rusisë që të tërhiqet menjëherë dhe pa kushte nga vendi fqinj.

Agresioni i Moskës, tha Guterres, përbën shkelje të Kartës themeluese të OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Pasojat e mundshme të një spiraleje të konfliktit janë një rrezik real dhe i qartë për të gjithë. Kemi dëgjuar kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore. I ashtuquajturi përdorim taktik i armëve bërthamore është krejtësisht i papranueshëm. Është koha për t’u larguar nga ky qëndrim”, tha Guterres.

Që kur Moska pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt të vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, ka lënë të kuptohet vazhdimisht se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohet.Në fjalimin e drejtuar kombit dy ditë më parë, Putin njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në traktatin për armët strategjike.

I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021. I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.

Shefi i Kremlinit nisi 200.000 ushtarë në Ukrainë në 24 shkurt 2022, duke shënuar kështu fillimin e pushtimit më të madh në Europë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Lufta shkatërrimtare qe pasoi ka kushtuar 7.200 jetë civilësh dhe mijëra të plagosur, sipas OKB-së, por bilanci real mund të jetë shumë më i lartë se kaq.

Top Channel