Policia në patrulla kombëtare pas tre oficerëve të vrarë në pyjet jugore të Kilit (fotot)

27/04/2024 19:31

Policia në Kili kishte dalë në patrulla të gjera në jug të vendit pas një sulmi makabër ku tre oficerë u gjetën të vdekur në makinën e tyre në flakë, ditën e festës kombëtare të policisë.

Tre oficerët ishin vrarë në një kurth të pashpjeguar në Mapuche, në incidentin më të rëndë të shënuar ndonjëherë mes forcave policore të vendit.

Presidenti vendit Gabriel Boric erdhi për inspektime në zonë, shoqëruar nga një numër i madh zyrtarësh.

Në ngjarjen e paprecedentë për nga terrori, tre oficerët ishin gjetur të djegur në një automjet patrulle policie në qytezën Cañete, rreth 500 km në jug të qytetit Santiago.

Zona ka qenë në mbrojtje ushtarake prej sulmeve me zjarrvënie të regjistruara pas një konflikti të grupit etnik Mapuche që kërkon kthimin e tokave të të parëve, shkruan rrjeti AFP.

“Nuk kisha parë ndonjëherë në 38 vjet shërbim vdekje të tre policëve në një mënyrë mizore,” tha drejtori i përgjithshëm i forcave ‘Carabineros’, Ricardo Yañez.

Ministrja e brendshme Carolina Tohá, tha më herët për ngjarjen: “Ata morën lajmin e një mjeti të policisë në flakë dhe kur mbërritën zbuluan se ishte një patrullë e Carabineros”.

“Brenda saj ishin tre punonjësit e pajetë, të djegur,” shtoi Tohá, e cila gjithashtu është në zonë.

Viktimat ishin vrarë fillimisht me armë dhe më pas ishin hedhur në makinë, sipas hetimeve paraprake.

Në Santiago, qindra njerëz ishin mbledhur para pallatit presidencial për të protestuar ndaj vrasjes makabre të tre policëve.

Presidenti Boric ka militarizuar prej prej dy vjetësh provincën Arauco, sipas tij për të ndaluar sulmet me zjarrvënie kundër aktivitetit të industrive të pyjeve.

Dhuna e ekzagjeruar e përdorur në atentat ka bërë që disa kritikë ta konsiderojnë një akt provokimi, për t’i hedhur fajin komuniteteve vendase Mapuche.

Policia ka ndaluar më parë në zonë shumë grupe të vjedhjes së lëndës drusore.

FOTO GALERI
1/5
Tre oficerët ishin vrarë në një kurth të pashpjeguar në Mapuche, në incidentin më të rëndë të shënuar ndonjëherë mes forcave policore të vendit.

Top Channel