Rreth 1.1 milion njerëz kanë shkuar nga Ukraina në Gjermani më 2022, duke e tejkaluar fluksin e migrantëve nga Lindja e Mesme më 2015, sipas të dhënave të Zyrës federale të Statistikave të Gjermanisë.
Dy të tretat e migrantëve nga Ukraina kanë shkuar në Gjermani në tre muajt e parë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, përkatësisht në periudhën mars-maj të vitit të kaluar.
Të dhënat janë publikuar pak para se lufta e Rusisë në Ukrainë – e nisur më 24 shkurt – të mbushë një vit.
Duke përjashtuar personat që janë kthyer sërish në Ukrainë, numri i migrantëve ukrainas në Gjermani ka shkuar në 962.000 më 2022, më shumë se 834.000 persona që kanë shkuar nga Siria, Afganistani dhe Iraku në Gjermani, në periudhën 2014-2016, është thënë në raportin më të ri.
Këto shifra i kanë kthyer shtetasit ukrainas në popullatën e dytë më të madhe të migrantëve në Gjermani, pas turqve. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel
Top Channel