“Do të forcojmë kufijtë e jashtëm e do të parandalojmë emigracionin e paligjshëm”: ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Bruksel ku krerët e shteteve dhe qeverive të bllokut ishin njëzëri dakord jo vetëm me rritjen e mbrojtjes së kufirit, edhe me shtimin e numrit të dëbimeve.
Vendimi i Këshillit Europian parashikon dy projekte pilotë në kufijtë e jashtëm të BE. Në të parin, Bashkimi Europian do të zhvillojë infrastrukturën e mbikëqyrjes. Sipas Von der Leyen, do të ndërtohen kulla vrojtimi dhe do të instalohen kamera dhe sisteme të tjera elektronike vëzhgimi. Financimi do të vijë nga buxheti i BE dhe buxhetet kombëtare.
Një projekt i dytë pilot fokusohet në përshtatjen e procedurave të azilit në kufijtë e jashtëm të BE. Për të rritur numrin e dëbimeve, vendet anëtare duan të njohin reciprokisht kërkesat e refuzuara për azil. Kështu, aplikimet nuk do të rishqyrtohen më kur azilkërkuesit lëvizin brenda BE, shpjegoi von der Leyen. Për më tepër, liderët e bllokut nënvizojnë nevojën për të shtuar presionin ndaj vendeve të origjinës për të rikthyer shtetasit e tyre. Megjithatë, këto plane nuk kaluan pa kritika.
Zëdhënësja e partisë E Majta në Bundestagun gjerman për politikën e azilit, tha se ajo që u vendos në samitin e BE për arratinë dhe emigracionin përbën një deklaratë falimentimi humanitar. Izolimi i detyruar, procedurat e shpejta dhe dëbimet janë e kundërta e një politike azili të bazuar në të drejtat e njeriut, ishte komenti i saj, ndërsa politikani i të Gjelbërve, Marcel Emmerich kujtoi në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk se ngritja e gardheve nuk korrespondon me BE-në.
Top Channel