Grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura shqiptare pjesë e skuadrës së kërkim-shpëtimit sapo ka mbërritur në Stamboll.

Ata do të ndihmojnë në kërkimin e trupave nën rrënoja dhe t’i ofrojnë atyre ndihmë të shpejtë.

“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim- shpëtimit”, shkruan Rama.

Turqia po përballet me një prej katastrofave më të mëdha natyrore të ndodhura ndonjëherë. Mbi 9000 persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.

Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.234 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.470 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Kujtojmë se Turqia është një prej vendeve që ndihmoi Shqipërinë në shpëtimin e qytetarëve nën rrënoja gjatë tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel