“Ngjarja nuk zgjati më shumë se 8 sekonda”/ 6 orë seancë ndaj Arbër Paplekajt, çfarë deklaruan sot nëntë dëshmitarët e pyetur

08/02/2023 19:37

Mbi 6 orë ka zgjatur sot seanca gjyqësore në ngarkim të Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021 në Elbasan. Mes 9 dëshmitarëve të pyetur sot, dhanë dëshminë e tyre edhe dy ish nëndrejtorët e policisë së Elbasanit.

Këta të fundit i pohuan trupit gjykues se ngjarja nuk zgjati më shumë se 8 sekonda ndërsa u zhvillua mes kaosit në një zonë shumë të populluar ç’ka e bëri të vështirë ndërhyrjen parandaluese.

Të pyetur nga avokatja e familjes Xhuvani nëse njihnin persona mes turmës, efektivë e policisë kanë mohuar, gjë e cila është arsyetuar nga avokatja Rezarta Tahiraj, si pjesëmarrje e personave që nuk ishin nga Elbasani, me shumë mundësi, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në PD.

Përsa i përket të rejave të mundshme në referim me sinjalizimin e një hipoteze të rrezikut të jetës për një dëshmitar që i është dërguar Prokurorisë pikërisht nga avokate Tahiraj, përfaqësuesja ligjore e familjes së viktimës deklaroi se nuk ka dhe nuk pret përgjigje: “Do të jetë Prokuroria që do të vendosë nëse aktivizohet për ti kërkuar autoriteteve kompetente mbrojtjen e këtij dëshmitari dhe do të jetë gjithmonë Prokuroria të vendosë nëse dhe si të përdorë bashkëpunimin e dëshmitarit.

Personalisht jam e bindur – komentoi avokate Tahiraj – se ai dëshmitar është shumë i çmueshëm për aktivitetin investigativ të Prokurorisë mbi këtë rast. Në seancë ai tha që dy personat për tu kërkuar ishin të armatosur me pistoletë. Dëshmitari nuk diti të tregojë markën dhe kalibrin e atyre pistoletave, sepse mendoj se nuk është një ekspert armësh, por që ata persona ishin në posedim të atyre armëve e tha në mënyrë të qartë.

Kjo specifikë është një veçori rënduese që shton urgjencën për nevojën e identifikimit për rrezikun që kanë treguar në atë rrethanë me posedimin e atyre pistoletave dhe me faktin se ndoshta i përkasin pikërisht ato armë dhe plumba të gjetur në vendin e vrasjes me një kalibër të ndryshëm nga pistoleta e vrasësit”.

Top Channel