Kryeministri i Norvegjisë ka propozuar që shteti i tij, një prej eksportuesve më të mëdhenj të karburanteve, t’i ofrojë ndihmë Ukrainës në vlerë prej 7.3 miliardë dollarësh në një periudhë pesëvjeçare.
“Ne synojmë të arrijmë një marrëveshje të unifikuar për këtë temë në Parlament”, tha për gazetarët kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, pas takimit me liderët e opozitës.
Ky shtet nordik ka përjetuar rritje rekorde të të ardhurave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, pasi sasia e gazit e shitur në Evropë u rrit vitin e kaluar.
Stoere, që po përballet me kritika nga disa shtete dhe një pjesë e opozitës në Norvegji se në mënyrë indirekte po përfiton nga lufta, në fund të vitit 2022 prezantoi planin që t’i ofrojë Ukrainës ndihmë shumëvjeçare. Por, atëbotë ai nuk dha ndonjë shifër sa i përket kësaj ndihme.
Më 2023, gjysma e ndihmës do të financojë kërkesat ushtarake, ndërkaq pjesa tjetër do të shkojë për nevoja humanitare, edhe pse ndarjet mes ndihmës ushtarake dhe humanitare mund të ndryshojnë në vitet pasuese, tha Stoere.
Norvegjia po ashtu do të japë 5 miliardë kruna shtesë gjatë këtij viti ndihmë për shtetet e varfra, të prekura nga rritja globale e çmimeve ushqimore pas pushtimit rus të Ukrainës, tha Stoere.
Qeveria e pakicës së Stoere duhet të kërkojë miratimin e Parlamentit për këto fonde. Kjo paketë e ndihmës pritet të rrisë shpenzimet vjetore të Fondit sovran të Norvegjisë, që është fondi më i pasur në botë në vlerë prej afër 1.4 trilion dollarësh.
Partia kryesore opozitare, Partia Konservatore, pritet të mbështesë planin, për të cilin do të negociojë në javët e ardhshme.
Më 2022, Norvegjia u bë furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz rus. Norvegjia është prodhuesja e dytë më e madhe në botë e naftës, pas Rusisë.
Top Channel