Pranga zyrtares për pastrim parash/ “Pastruesja 500 mijë euro” përmend edhe Ahmetajn, hyn në lojë SPAK

04/02/2023 15:03

Me dëshminë e pastrueses kundër,  Alda Klosi ish zyrtare e Kryeministrisë e njëherazi  ish drejtoreshë e Ministrisë së Financave gjatë kohës kur këtë dikaster e drejtonte Arben Ahmetaj,  do të përballet me gjykatën për akuzat e pastrimit të parave, dëshminë e rreme në polici dhe fshehje të pasurisë.

Por kundër ish drejtoreshës së koncenesioneve Klosi nuk janë vetëm fjalët e Rozeta Dobit, një grua që është kthyer në kutinë e Pandorës, por edhe prova të tilla si 405 mijë euro të fshehura në kuzhinë për të cilat 41 vjeçarja duhet të tregojë se si i fitoi. Po ashtu edhe shumën prej 120 mijë euro të denoncuar se ia kishte vjedhur pastruesja.

Në një seancë të gjatë në policinë e Tiranës , pastruesja Dobi ka sqaruar shumë aspekte të hetimit që vulosën fatin e shefes së saj pasi pranoi se ish zyrtarja i kishte kërkuar që t’i fshihte paratë në 8 shtëpitë që zyrtarja posedonte.

“Kam parë shumë para, në kuti, të fshehura në batanije. Me Arben Ahmetajn , Klosi kishte marrdhënie personale”, mësohet të ketë rrëfyer gruaja e cila ka pranuar të flasë për orë të tëra para grupit të hetimit.

Pikërisht përmendja e emrit të ish ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ka hapur diskutimet mes prokurorëve nëse kjo çështje duhet të hetohet pas kësaj deklarate nga SPAK apo nga kjo e kryeqytetit që sakaq garanton se do hetojë çdo të dyshuar.

Rreth këtij hetimi ka shumë paqartësi për të cilat prokuroria dhe policia po përpiqen të hedhin dritë.

Së pari, për shkak se pastruesja ka rrëfyer se paratë i sillnin me kuti persona të panjohur, grupi i hetimit duhet të provojë se kush është pronari i vërtetë i  milionave  me euro. Ndaj pohojnë burimet agjentët po këqyrin kamera sigurie në banesat e ish zyrtares për të konfirmuar identitetin e tyre.

Së dyti për shkak të akuzës së ngritur ndaj Klosit atë të pastrimit të parave, prokuroria duhet të vërtetojë se paratë e kujt po pastronte ish zyrtarja, që në fluksin e dosjeve për pastrim parash , kjo është e para që po hetohet për pastrim parash të ardhura nga korrupsioni.

Top Channel