94 kamera të paligjshme janë çmontuar deri më tani në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Dibër.

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe kanë nisur hetime të thelluara për disa persona për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

-Në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera. Kamerat ishin instaluar në tre lagje shumë të frekuentuara të qytetit, konkretisht në lagjet “Dobraç”, “10 Korriku” dhe “Daniel Matlia”.

-Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë ka nisur hetimi për një grua e identifikuar si Marte Prendi.

-Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private janë 3 persona. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe kanë nisur  hetime të thelluara për 4 persona.

Operacioni i koduar “Fijet” po vazhdon prej ditësh në të gjitha qytetet e vendit, ku deri më tani janë çmontuar qindra kamera. Dhjetëra persona janë vënë nën hetim nga veriu në jug të vendit, mes tyre Albert Muharremi, vëllai i Rrumit të Shijakut, Gjergj Cukali, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit” dhe persona të tjerë me precedentë penalë.

Top Channel