Gjelosh Krasniqi, që dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Briken Sanajnt natën e 30 tetorit në rezidencën Kodra e Diellit në Tiranë është arrestuar sot në Pejë.

Për vrasjen e Sanajt, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për autorin dhe dy bashkëpunëtorët: 39-vjeçarin Vladimir Kola, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; 49-vjeçarin Gjelosh Krasniqi, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe 25-vjeçarin Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas hetimeve, Kened Antoni i shiti automjetin tip “Mercedez Benz” Gjelosh Kransiqit në datën 24 tetor, dhe po atë ditë mjeti është futur nga Kosova në Shqipëri dhe i është vënë në dispozicion Vladimir Kolës.

Atentati ndodhu në Tiranë në orët e vona të natës së 30 tetorit, kur viktima sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë. Edhe pse zona ishte me siguri të shtuar dhe kamera,  së paku dy persona me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov.

Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pasi në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Top Channel