Nëse ka diçka që nuk e ka humbur akoma në paraburgim ish ministri Lefter Koka, është durimi për të përshëndetur policët e burgjeve sa herë që ata e presin dhe e përcjellin në dyert e Gjykatës Antikorrupsion.

Por edhe seanca e radhës ndaj tij dhe 19 të akuzuarve të tjerë për inceneratorin e Fierit nuk pati një finale. Gjykata nuk arriti dot të shprehet për gjyqin paraprak, nëse do ta kalojë apo jo në shqyrtim themeli apo do ja kthejë pas aktet SPAK që këmbëngul një aferë 4 milionë euro.

Pa mundur dot të dëgjojë pretendimet e avokatëve gjyqtarja paraprake arriti deri tek apeli i palëve, ku u kuptua gjatë seancës me dyer të mbyllura se 7 shoqëri të akuzuara nuk janë njoftuar ende mbasi nuk janë gjetur adresat e tyre. E njëjta procedurë duhet ezauruar edhe për italianin Xhuzepe Ciafalone, i kërkuar në këtë procedim, por që duhet njoftuar sipas ligjit se ndaj tij ka nisur një hetim që e lidh atë me inceneraorin e Fierit.

Deri më tani për të dyja dosjet e inceneratorëve funksionarët më të lartë të dorëzuar nën akuzë janë Lefter Koka ish-ministër i Mjedisit dhe Alqi Bllako ish-deputet dhe ish-sekretar i përgjithëm. Ndaj tyre rëndojnë akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

“Procesi penal u shty për në datën 15 shkurt sepse nuk janë njoftuar palët”, tha avokati Ilir Murataj.

Të enjten në Gjykatën e Posaçme do të shqyrtohet nga gjyqtari paraprak dosja tjetër ajo e Elbasanit me dhjetë të pandehur. Sakaq SPAK thotë se po heton katër ministri, midis tyre edhe Ministrinë e Financave.

Pikërisht ky hetim në  Ministrinë e Financave, është kthyer në kartën më të fortë të avokatëve mbasi rezulon se nuk është thirrur ende Arben Ahmetaj, emri i të cilit u ekspozua nga akt-eskspertizat si zyrtari që u pagua nga i akuzuari Klodian Zoto për udhëtime luksoze jashtë vendit. Por SPAK këmbëngul se po e heton rolin e Ahmetajt, ndonëse jo zyrtarisht shtohet se emri i tij nuk rezulton i rregjistruar si i proceduar apo person nën hetim.

Top Channel