Shisnin drogë pranë shkollave të qytetit/ Arrestohen dy të rinj në Bulqizë, në kërkim një tjetër

31/01/2023 10:38

Dy të rinj janë arrestuar dje një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në qytetin e Bulqizës.

Dy të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Bulqizës, madje shisnin qese me hashash edhe në afërsi të shkollave.

Gjatë kontrollit në automjetin e dy të arrestuarve, u gjet një sasi lënde narkotike e ndara në qese. Ky është rasti i dytë brenda javës që policia e Bulqizës bën arrestime për tregtimin e drogërave në qytet.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan punën dhe si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-E.D., 23 vjeç; A.L., 24 vjeç, banues në Bulqizë si dhe u shpall në kërkim shtetasi A.S.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me të cilët udhëtonin shtetasit e lartëpërmendur, dhe shtetasi A.S., ka arritur të zbresë dhe tu largohet kontrollit të shërbimeve të policisë.

Po gjatë kontrollit në automjet u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në disa zona të qytetit të Bulqizës. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel