Marrëveshja për portin e Durrësit U nënshkrua sot dokumenti përfundimtar për “2 miliardë euro”

30/01/2023 10:48

Porti i Durrësit është gati për të filluar procesin e ndërtimit. Qeveria dhe kompani “Eagle Real Estate Development” ka firmosur marrëveshjen përfundimtare duke përmbyllur të gjitha procedurat ligjore.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se ky është projekti më i madh në ekonominë shqiptare me 2 miliardë euro investim, ndërsa Durrësi do të bëhet me dy porte

 “Kemi përfunduar procedurat e gjata ligjore deri te miratimi i parlamentit të ligjit dhe më pas dekretimit nga Presidenti. Në këtë projekt për herë të parë shteti është bashkëaksioner në masën 35%. Shteti do të ketë të njëjtat të drejta sa i përket të ardhurave dhe fitimeve. Shteti ka përgjegjësi të ruajë asetet strategjike si kalatat, basenin dhe kanalin e portit. Këto mbeten pronë shtet, siç mbetet edhe 45% e hapësirës të portit aktual.”– tha Balluku.

Për investitorin Mohammed Alabbar procesi i negociatave ishte i dhimbshëm, por u shpreh se rezultati do të jetë fantastik. Bashkë me kryeministrin Rama ai vuri theksin te vendet cilësore të punës që do mundësojë projekti

“Kam qenë në biznes për 30 vite, por nuk kam kaluar kurrë një proces të tillë. Mendoj që ky proces do të jetë një shembull fantastik për investimet e ngjashme në botë. Flasim shpesh për transaprencë, ekspertizë dhe analiza risku, por askush nuk ka kryer një ekzaminim të tillë ndaj meje siç ka bërë qeveria shqiptare. Dua të them gjithashtu se pas këtij projekti, që mund të them pa frikë është më i përparuari në botë, edhe se ato në Dubai, qëndron një ekip me të rinj shqiptarë, që nesër do eksportojnë dijet e tyre nëpër botë dhe më besoni ikja jashtë shteti do jetë e mërzitshme për ta.”– tha Alabbar.

“Marina e Durrësit do të hyjë si konkurrente në një treg global dhe do të krijojë punësim cilësore dhe shumë profile pune të mirëpaguara për shumëkënd që nuk do të ketë më asnjë arsye për ata që duan të punojnë, që ta shohë të ardhmen jashtë vendit. Projekti do të kthejë mbrapsht edhe shumë individë jo vetëm nga Durrësi, por edhe vende të tjera për të punuar në Shqipëri.”- tha Rama.

Ndërkohë paralel me fillimin e punimeve në portin e Durrësit, në 1 shkurt do të bëhet edhe prezantimi i studimit inxhinierik për portin tregtar në Porto Romano, ndërsa më pas do zhvillohet një garë ndërkombëtare për kompaninë që do të investojë.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA