Fiks Fare/ Banorët e Bregut të Lumit, ende pa dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria për përmbytjen e 2016-ës

30/01/2023 20:45

Banorët e Bregut të Lumit, përmbytjen e nëntorit të vitit 2016 ende nuk e kanë harruar.

Rreth 137 familje u prekën nga vërshimi i ujërave  të lumit dhe patën shumë dëme materiale, por ende sot e kësaj ditë ata nuk janë dëmshpërblyer.  Premtimi i qeverisë se ata do të dëmshpërbleheshin ende nuk është finalizuar.

Pushteti vendor  në atë kohë  bëri konstatimin e dëmeve për 137 familje në banesa dhe në orendi shtëpiake.  Me buxhetin që dispononte u dha 1/3 e dëmshpërblimit për familjet dhe pjesa tjetër i kaloi për rimbursim AKMC ( Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile).  Po që prej 2016 e deri më sot këto familje nuk kanë marrë ende pjesën tjetër  të dëmshpërblimit.

Qytetarët kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për të marrë informacion se kur do të marrin dëmin dhe përgjigja e vetme që kanë  marrë ka qenë se në bazë të VKM-se 329 datë 16.05.2012 për kriteret e dhënies së ndihmës shtetërore për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore., AKMC pas vlerësimit të dokumentacionit të hartuar nga Bashkia Tiranë, bazuar akteve normative në fuqi brenda mundësive financiare do të realizojë kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Fiksi kontaktoi nga afër me disa banorë të cilët shprehen se kërkesat e tyre kanë qenë të panumërta.Qytetarja Fatmira Salimllari ka bërë 15 kërkesa. E fundit daton  në 12 korrik 2022 drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ” Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm”.

Asnjë nga këta banorë nuk  ka patur informacion mbi shumën e dëmshpërblimit, ndaj  i drejtohen  fillimisht Njësisë Nr 11. Administratori i jep informacione për dëmin e konstatuar dhe i sugjeron të interesohen pranë zyrës së financës së bashkisë për emergjencat civile. Emergjencat civile pasi miratohet fondi i dëmshpërblimit kalojnë listën tek kjo zyrë e cila duhet të njoftojë qytetarët për të tërhequr fondin.

Qytetarët i drejtohen kësaj zyre dhe marrin informacionin se lista ishte miratuar nga AKMC dhe nga 137 familje më listë ishin 101 familje dhe mungonin 26 familje.  Por përveç uljes së familjeve përfshirë në dëmshpërblim , banorët mësua se edhe vlera e dëmshpërblimit  kishte ndryshuar , ishte ulur. Madje shuma e cila duhet të merrnin ishte 3 herë më e vogël nga ajo e cila ishte konstatuar në momentin e fatkeqësisë. Përkatësisht,  Fatmira Selimllari dëmin e plotë ishte vlerësuar në masën  3.8 milion lekë të dëmshpërblehej. Nga këto 1 milion e ka paguar bashkia dhe 2.8 milion duhet të dëmshpërblehej nga AKMC,  por në lista kësaj familje  i ishin  përcaktuar 91.960 mijë lekë nga 2.8 milion.  Përsa i përket Aleko Selimllari një tjetër banori, në listën fillestare dëmi përllogaritej në  2.3 milion lekë. 1 milion  z. Aleko i ka marrë nga bashkia  ndërsa në listën e AKMC nuk ekziston fare emri i tij.

Qytetares Fatmira Sula fillimisht dëmi ishte përcaktuar 3, 38 milion lekë, paguar nga bashkia 1 milion lekë , AKMC në listë ka përcaktuar  vetëm 72.400 mijë lekë.

Banorët  e dëmtuar nuk e lanë me kaq dhe iu drejtuar Emergjencave Civile. Ata nuk u pritën mirë dhe u nxorrën jashtë institucionit nga punonjësit, por falë insistimit të tyre vetë z. Haki Çako i priti në zyrë.

Ankesa e vetme e banorëve ishte se pse në listë ishin hequr emrat e disa familjeve për t’u dëmshpërblyer  dhe se deri më sot kanë marr vetëm 1/3 e dëmshpërblimit që është konstatuar në momentin e fatkeqësisë natyrore në 2016. Z. Çako u premtoi pasi mbajti shënim të dhënat personale të banorëve se do t’i telefononte pas verifikimeve të bëra nga ana e tij. Por deri më sot ditën e transmetimit të këtij problemi banorët ende nuk janë telefonuar nga askush dhe janë në pritje të dëmshpërblimit.

FOTO GALERI
4/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA