Olesya Krivtsova ka një tatuazh anti- Putin në njërin kyçin e këmbës dhe një byzylyk që gjurmon çdo lëvizje të saj në anën tjetër.
19-vjeçarja nga rajoni Arkhangelsk i Rusisë duhet ta mbajë pajisjen ndërsa është në arrest shtëpiak, pasi u akuzua për postime anti-ruse në mediat sociale, që sipas autoriteteve justifikojnë terrorizmin.
Zyrtarët rusë e shtuan Krivtsova në listën e terroristëve dhe ekstremistëve, në të njëjtin nivel me ISIS-in, Al Kaedën dhe Talibanët, për një postim në Instagram rreth shpërthimit në urën e Krimesë në tetor, ku ajo kritikonte Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
Krivtsova, studente në Universitetin Federal Verior në qytetin veriperëndimor të Arkhangelsk, po qëndron në arrest shtëpiak në apartamentin e nënës së saj në Severodvinsk, rajoni i Arkhangelsk, të cilës i ndalohet hyrja në internet dhe përdorimi i formave të tjera të komunikimit.
“Rasti i Olesya nuk është i pari, as i fundit”, tha për CNN Alexei Kichin, avokati i Krivtsova.
Kichin tha se adoleshentja mund të përballet deri në tre vite burg për diskreditimin e ushtrisë ruse dhe deri në shtatë vjet burg sipas nenit për terrorizmin. Megjithatë, mbrojtja ligjore e Krivtsova shpreson për një dënim më të butë siç mund të jetë gjoba.
Monitoruesi i pavarur i të drejtave të njeriut OVD-Info tha se të paktën 61 raste ndodhën në Rusi në vitin 2022 me akuzat e terrorizmit në internet, ndërsa 26 persona janë dënuar deri më tani.
Nëna e Olesyas, Natalya Krivtsova tha se qeveria po përpiqet të paralajmërojë publikun.
“Ne jetojmë në rajonin e Arkhangelsk dhe ky është një rajon i gjerë, por shumë i largët nga qendra. Nuk ka më protesta në Arkhangelsk, kështu që ata po përpiqen të mbytin gjithçka që ka mbetur”, tha Natalya Krivtsova për CNN.
Një drejtues lokal i Partisë Komuniste, Alexander Novikov, e bullizonte publikisht adoleshenten në televizionin shtetëror, duke e quajtur atë një budallaqe që duhet të dërgohej në vijën e frontit në rajonin lindor të Ukrainës Donbas, në mënyrë që ajo të mund të “shikonte në sy” luftimet ushtarake.
Kjo nuk është përplasja e parë e Olesya Krivtsova me autoritetet për transmetimin publik të pikëpamjeve të saj anti-ruse.
Majin e kaluar, ajo u përball me akuza për diskreditimin e ushtrisë ruse duke shpërndarë postera kundër luftës.
Çështjet u bënë më serioze kur ajo u akuzua për diskreditim të ushtrisë ruse në mediat sociale tetorin e kaluar. Sipas avokatit të Krivtsova, një vepër e përsëritur sipas të njëjtit nen kthehet në një çështje penale.
“Paaftësia për të heshtur tani është një mëkat i madh në Federatën Ruse. Shteti ka disa politika të çuditshme: të burgosurit shkojnë në luftë dhe fëmijët shkojnë në burg”, tha nëna e saj për CNN.
Top Channel