Humbi djalin në Gaza, rivali i Netanyahu-t kryeson sondazhet: Kush është Gadi Eisenkot

20/06/2026 16:09

Gadi Eisenkot, me origjinë marokene, ka humbur një djalë dhe nipin në Gaza. Ndryshe nga Benjamin Netanyahu, ai mendon për të ardhmen. Dhe idetë e tij po bindin njerëzit, thotë Corriere della Sera.

Kryeministri izraelit duket se ka tani një rival të fortë: ish-gjenerali Eisenkot rezulton i pari në sondazhe. Mbi varrin e të birit, rreshterit Gal Meir Eisenkot, të vrarë në një pritë në Gaza në dhjetorin e vitit 2023, 66-vjeçari kishte bërë një betim: “Sakrifica jote dhe e të tjerëve nuk do të ketë qenë e kotë, do të bëjmë gjithçka për të qenë të denjë për ju.”

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite nuk po mendon vetëm për “fitoren” ushtarake, objektivin e qeverisë për të eliminuar Hamasin nga Rripi i Gazës, Hezbollah-un nga Libani dhe ajatollahët nga Irani. Ndryshe nga Benjamin Netanyahu, ai mendon edhe për atë se çfarë do të ndodhë “pas luftës”, thuhet në shkrim.

Në Gaza ka humbur edhe nipin, vetëm 19 vjeç, që shërbente si ushtar në këtë territor, Maor Cohen Eisenkot.

Edhe pse një fillestar në politikë, ish-gjenerali ka arritur ta çojë partinë e tij Yashar në krye të anketimeve: për herë të parë, ajo ka barazuar Likud-in e Netanyahut dhe ka kaluar aleancën e Naftali Bennett me Yair Lapid, që deri dje dukej se do ta rrëzonte Bibi-n nga pushteti pas gati dy dekadash.

Në vend të tyre, ky ish-gjeneral, që 44 nga 66 vitet e jetës së tij i ka kaluar me uniformë, tani konsiderohet si kundërshtari kryesor i kreut të ekzekutivit izraelit.

Në një vend të polarizuar nga figura e tepruar e Netanyahut, të lodhur nga doktrina e tij e “luftës së përhershme” dhe të acaruar nga ekstremizmi i së djathtës, Eisenkot përfaqëson një ndryshim: për shumë izraelitë ai është një njeri “normal”, thonë ekspertët.

Tashmë kanë nisur krahasimet mes tij dhe kryeministrit të vrarë në vitin 1995, Yitzhak Rabin, edhe pse për momentin Eisenkot nuk është gati të ringjallë procesin e paqes me palestinezët.

Top Channel