“McGonigal”/ Rama reagon ‘live’ në Top Story: Përrallë groteske! Hetimi s’ka asnjë lidhje me mua

26/01/2023 22:40

Kryeministri Edi Rama reagoi ‘live’ për “Top Story” për çështjen “McGonigal”, duke theksuar sërish se nuk ka asnjë lidhje me hetimin që po bën SHBA ndaj ish-drejtorit të kundrazbulimit të FBI-s.

Me një njoftim nga zyra e shtypit në Kryeministri, Rama thotë se gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit nuk ka asnjë lidhje me mua, me drejtësinë shqiptare. Sipas tij, çdo akuzë qesharake bie poshtë përballë hetimeve:

Ky mal i madh i mbarsur me fatzi dhe ligësi do të pjellë dhe më pak se një mi. Fatmirësisht, gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit nuk ka asnjë lidhje me mua, me drejtësinë shqiptare.

Paratë e para prej rusëve në PD nuk janë shpikje, por fakt i hetuar dhe provuar botërisht. Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtar i lartë i FBI-së. por, si njëra, si tjetra, bien përtokë përballë fakteve të hetuara.

Në këtë çështje, zyrtari i FBI-së nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, por vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij. Edhe më qesharake janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik, fije që priten.

Kompania Strabak është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si kompania Trema operojnë në Shqipëri prej tre dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive, i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës, me këtë përrallë që edhe pa të është groteske, do të thotë sot të jesh në dëshpërim total.

Dihet që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe kjo histori është pasqyrë e dëshpërimit të opozitës sonë, e cila përveçse nuk ka kokë, ka mbi kurriz çështje madhore si ’21 janari’, ‘Gërdeci’ apo lidhjet ruse qysh në kohën kur bashkoi foton me partinë e Putinit në Këshillin e Europës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto janë fakte që kërkojnë drejtësi, jo teori kospiracioni dhe nuk ka teori konspiracioni që i varros sot në harresë.

Sot kryeministri thotë që kemi të bëjmë me një gjykim dhe një konkluzion të hetimit.

Top Channel