“Dramë që do ta kishte zili dhe Shekspiri”/ Curri përplaset me Spiropalin për “21 Janarin”: Hipokrizi! Mazhoranca qan një ditë dhe pastaj harron

23/01/2023 23:02

Dosja e 21 Janarit dhe prova e re që është publikuar për herë të parë pak ditë më parë nga gazetari Artan Hoxha nxitin debate të ashpra këtë mbrëmje mes të ftuarve në “Top Story”.

Në videon që ka siguruar gazetari, 12 vite pas ngjarjes tragjike ku mbetet të vdekur katër protestues, zbardhet biseda e Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve.

E ftuar në “Top Story”, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali thekson pyetjen se përse ish-kryeministri Sali Berisha nuk vihet nën hetim, ndërkohë që analisti Arjan Curi e cilëson një hipokrizi qëndrimin e mazhorancës dhe politikës në tërësi.

Një dramacitet i niveleve të papara që do ta kishte zili dhe Shekspiri, u shpreh Curri, që u përfshi në debat me Spiropalin.

Spiropali: Drejtësia ka filluar për një arkë peshk, për shpërdorim detyre, për një peshk të pakonsumuar. Ndërkohë, kemi një ish-kryeministër që mburret studio më studio se sa trim ishte që i vrau ata të katërt dhe si nuk ia mbajti plumbin në ballë liderit të opozitës. Dhe ajo video nuk na çudit fare. Nuk na çudisin videot që kanë dalë, që provojnë atë që ne kemi thënë për vite të tëra që këtu ka një komandues të urdhëruar për të qëlluar në mish. Ish-kryeministri del dhe flet krenar për këtë çështje. Dhe nuk ka një prokuror që t’i thërrasë zotit Berisha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ish-kryeministër i këtij vendi, si guxoni ju të nxisni urrejtje, si guxoni të nxisni dhunë dhe të merrni përsipër vrasjet.

Nuk kuptoj se si ç’është kjo frikë ndaj zotit Berisha, pse hija e tij edhe sot…

Curri: Mbase nuk i lini ju

Spiropali: Të lutem … këtë hije mbi drejtësinë shqiptare. Duhet të kuptojmë sot, pas disa shenjave shpresdhënëse që ka dhënë SPAK, edhe për çështjen e Gërdecit, edhe për çështje të tjera të hetimit zyrtarëve të lartë në vend, ndaj të cilëve ne nuk jemi bërë dhe nuk do të bëhemi kurrë barrierë, ka ardhur koha të provojnë veten me çështje të rëndësisë madhore shtetërore.

Curri: Mua më duket një hipokrizi e madhe, një dramacitet i niveleve të papara që do ta kishte zili dhe Shekspiri. Mazhoranca çdo 21 Janar, vë karafila të kuq në bulevard dhe qan një ditë dhe ditët e tjera harron. Pret 21 Janarin e ardhshëm që të qajë sërish një ditë. Mazhoranca dhe politika në përgjithësi i vret këta katër protestues. Nuk e kuptoj pse 1`0 vjet që të gjitha organet shtetërore që janë të lira nga pushteti dhe pse përgjimet dalin tani, pse nuk dolën në dhjetor, shtator, tetor. Është një teatër i madh politik që dhe Shekspiri do ta kishte zili. Këto pyetje më bëjnë të kuptoj që mazhoranca nuk e ka fare qëllim që t’i zbardhë këto vrasje.

Top Channel