Sulmi kibernetik nga Irani në fokus të diskutimit/ Rama merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

18/01/2023 08:16

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ndërsa sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë nga Irani ishte në fokus të diskutimit.

Të ftuarit në një panel diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër ishin themeluesi i medias “Tortoise”, James Harding; Robert Lee, shef ekzekutiv; ministrja për Komunikim dhe Informacion në Singapor, Josephine Teo; Olyvind Eriksen, shef ekzekutiv i një kompanie për prodhim nafte dhe kryeministri Edi Rama.

James Harding: Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri verën e kaluar është shembull për mënyrën se si kibernetika, gjeopolitika mund të ndikojë në qeveritë e çdo shteti.

Josephine Teo: Është si shtëpi. Mendon se i ke mbyllur dyert, dritaret, por sot kriminelët kibernetikë janë më të sofistikuar se kurrë, ata kanë hyrë në shtëpinë tuaj pa e ditur fare ju. Singapori ka pasur krizën e vet në vitin 2018 ku të dhënat tona të kujdesit shëndetësor u vodhën nga kriminelët e krimit kibernetik. Nëse vërejmë përgjatë këtyre 3 viteve, konstatimet tona janë se lloji i aksidenteve kibernetike është rritur në intensitet dhe sofistikim; është vërtetë një industri shumë fitimprurëse për kriminelët kibernetikë dhe kur ka kaq shumë para të përfshira duhet të presësh që taktikat e tyre të jenë gjithnjë e më të suksesshme. Kjo do të thotë që edhe mbrojtja jonë duhet të jetë në lartësinë e situatës.

Olyvind Eriksen: Rreziku më i madh sot duke patur parasysh ‘Aker’-in që është kompania e dytë më e madhe prodhuese e naftës dhe gazit në Norvegji dhe që ka një rritje shumë të madhe të fitimeve, të prodhimit të energjisë dhe që operon në të gjitha industritë është se sulmuesit jo vetëm mund të mbyllin operacionet tona por mund t’i marrin nën kontroll dhe kjo mund të ketë pasoja shumë të mëdha të sigurisë, pasoja mjedisore dhe pasoja të stërmëdha financiare jo vetëm te kompania ime, port e partnerët, furnitorët dhe shoqëria në përgjithësi.

 Robert Lee: Në vitin 2018 pati një sulm në një uzinë petrokimike në Arabinë Saudite ku përpjekja për të vrarë njerëzit duke shënjestruar sistemet e sigurisë së uzinës. Pra nuk sulmohen thjesht të dhënat, por jeta njerëzore. Më parë kishim sulme në sisteme heterogjene të cilat ishin krijuar në mënyrë të posaçme. Pra i krijuar posaçërisht për atë uzinë në Arabinë Saudite. Ndërtohet një sistem për të sulmuar një nënstacion elektrik të veçantë. Por vitin e fundit pamë që se u bë një përshkallëzim. Ishte një program që më vonë u quajt ‘pipe dream’, që mund të ndikonte në çdo lloj industrie. Një aktor shtetëror që sulmon një tjetër aktor shtetëtor ka ndërtuar një armë që mund të përdoret kundrejt kujtdo tjetër.

Rama: Ne ia dolëm që për 6-7 vitet e fundit të ishim një vend me 95% të shërbimeve të veta publike tërësisht në internet. Nuk ka më nevojë që të kontaktosh zyrat, burokracinë e kështu me radhë. Kjo na ka ndihmuar shumë dhe po e zhvillojmë çdo ditë. Në të njëjtën kohë na ka ekspozuar shumë. Vitin e kaluar u sulmuam nga Irani në mënyrë të rëndë. Sigurisht bëmë më shumë vëmendjen në çdo hap, një hetim të tërësishëm të ndihmuar nga Microsoft, ekipi i FBI dhe ekspertë të tjerë para se të dilnim me këtë akuzë të bazuar në fakte, dhe ende jemi të sulmuar, praktikisht ditë pas dite. Bekimi i teknologjisë na ktheu të shohim anën tjetër që është mallkimi i teknologjisë. Edhe pse nuk kemi një siguri kibernetike të fjalës së fundit, arritëm që të shmangnim zhdukjen tërësore të sistemeve që kishim dhe praktikisht shmangëm humbjen e të dhënave, çka ishte synimi i sulmit. Nëse krimi kibernetik do ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe e botës pas SHBA dhe Kinës.

 

Kujtojmë se Shqipëria ra pre e një sulmi kibernetik nga Irani gjatë verës së 2022-shit. Ata sulmuan faqet shtetërore online dhe sistemin TIMS.

FOTO GALERI
3/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA