Gjatë kohës që mbante postin e drejtoreshës në Drejtorinë e Koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë kur në krye ishte Arben Ahmetaj, Alda Klosi ka rritur me shpejtësi pasurinë e saj të deklaruar me prona, apartamente dhe para, por në asnjë rast nuk ka të deklaruar paratë e vjedhura.

Në dorë të hetuesve është vetëm deklarimi i saj se paratë i janë dhënë nga të afërmit.

Prokuroria e kryeqytetit e cila po heton zyrtaren Alda Klosi për pastrim parash po kryen verifikime jo vetëm për shumën e parave të grabitura për ti gjetur burimin nëse është i ligjshëm por po verifikon dhe deklaratat e pasurisë të dorëzuara pranë ILDKPI-së nga Alda Klosi që prej vitit 2016.

Shuma e madhe e parave të cilat Alda Klosi ka mbajtur në shtëpi nuk reflektohet në deklaratën e pasurisë të vitit të fundit dhe po ashtu është në shkelje të ligjit pasi zyrtarët shtetërorë mund të mbajnë kesh në shtëpi deri në 1.5 milionë lekë të reja.

Duke parë deklarimet e pasurisë së Klosit që prej 2016 e në vijim vërehet një rritje e pasurisë së saj kryesisht me pasuri të dhuruara.

Kështu në 2016 kur punonte si drejtoreshë në Ministrinë e Financave ajo kishte vetëm 50% të një shtëpie 42 metrash katrorë të cilën e kishte blerë 2.5 milionë lekë nga shitja e shtëpisë së vjehrrit, një makinë “Toyota” të vitit 2004 dhe një llogari bankare rreth 200 mijë lekë.

Dhe në 2017 ajo deklaron të njëjtat pasuri por shton të ardhurat nga pagat duke u anëtarësua në 3 borde.

Në vitin 2018 ku vijonte të ishte drejtoreshë në Ministrinë e Financave blen një apartament në kryeqytet 71 metra katrorë për vetëm 32 mijë euro ku një pjesë të kësaj shume deklaron që e ka marrë kredi dhe një pjesë tjetër hua.

Po ashtu shtohen dhe të ardhurat vjetore ku përveç pagesave për punën dhe si anëtare e bordeve i shtohet dhe qiraja e një ambient servis makinash.

Në vitin 2019 nuk ka ndryshime në pasurinë e saj. Në 2020 kur ishte këshilltare në Ministrinë e Rindërtimit shet makinën e saj për 2 mijë euro dhe në 2021 blen një makinë të vitit 2013 për vetëm 480 mijë lekë.

Pasuria i rritet dukshëm në vitin 2022 kur ishte drejtoreshë kabineti në Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe programimin e reformave.

Ajo bëhet pronare e masës 9% të një trualli 216 metra katrorë, një apartamenti 50 metra katror në masën 16% dhe një trualli 160 m2 me masën 9 për qind të gjitha të trashëguara nga babai.

Top Channel