Kërkoi masë të lehtë për shkak të shëndetit/ Vdes në ‘burg’ i arrestuari për inceneratorin e Fierit, Enver Sheshi

08/01/2023 11:30

Pasditen e së shtunës në QSUT ka ndërruar jetë 59 vjeçari Enver Sheshi, i cili ishte një prej të ndaluarve për inceneratorin e Fierit, i akuzuar për krijim të skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar.

SPAK dhe GJKKO janë treguar të ashpër me 59 vjeçarin i cili ishte i dyshuar për një vepër penale jo të rëndë, dhe gjatë kohës së paraburgimit kërkoi disa herë një masë më të lehtë dënimi për shkak të gjendjes shëndetësore por iu refuzua derisa ndërroi jetë në spital nga ataku kardiak.

Për herë të fundit Sheshit i ishte refuzuar ndryshimi i masës së sigurisë 10 ditë më parë pra, më 29 dhjetor 2022.  Problemet me ligjin 59 vjeçarit i kishin nisur që në 2018 ku u hetua si pjesë e skemës me mashtrimin e TVSH me kompanitë Lumi 06 dhe EL ZA.

Sheshi nuk ishte I dënuar por I dyshuar për një vepër penale që do të thotë se prezumohej i pafajshëm dhe nëse do të merrte një masë më të butë si ajo e arrestit shtëpiak apo detyrimit të paraqitjes do të mundej të kujdesej për shëndetin e tij dhe nuk do të cenonte hetimin pasi ai nuk mund të tjetërsonte asnjë provë të cilën SPAk ka muaj që i ka sekuestruar dhe së fundi mbylli hetimet duke e kaluar në gjykatë.

Ndërsa Enver Sheshi edhe I sëmurë u mbajt në paraburgim, SPAKnuk tregon të njëjtin devotshmëri për persona të tjerë pjesë e kësaj dosje siç është ish ministri i financave Arben Ahmetaj, që del hapur se ka përfituar ryshfete nga Klodian Zoto ndërsa SPAK nuk e ka pyetur dhe as hetuar.

Familjarët e viktimës Enver Sheshi kanë paralajmëruar kallëzim penal ndaj prokurorëve dhe Gjykatësve speciale.

Top Channel