Grabitën një dyqan në Durrës dhe kërcënuan me kallashnikov pronaren, arrestohen dy grabitësit ‘serialë’ në Durrës

08/01/2023 09:50

Një grabitje e ndodhur dy ditë më parë në një dyqan në Durrës është zbardhur nga policia dhe janë vënë në pranga dy persona.

Mbrëmjen e 6 janarit, O. M., 34 vjeç dhe E. Sh., 35 vjeç, të dy banues në Durrës vodhën nën kërcënimin e armës së zjarrit, xhiron ditore të një biznesi në lagjen nr. 15, Durrës.

Policia thotë se nga këqyrja e imtësishme e pamjeve nga kamerat e sigurisë, ka rezultuar se dy personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e armës së zjarrit kallashnikov që mbahej nga E. Sh., kanë marrë rreth 15.000 lekë të reja në dyqanin e shtetases M. D.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti dhe veshjet që përdorën këta shtetas, gjatë kryerjes së vjedhjes, si dhe 3 aparate celularë.

Po ashtu, policia ka zbardhur edhe 2 vjedhje të tjera të ndodhura më parë, të kryera nga këta 2 persona.

Më datë 19.11.2022, në Arapaj, Durrës, ata dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. S. një shumë parash. Më datë 27.12.2022, në lagjen nr. 6, në Durrës, dyshohet se kanë vjedhur sende me vlerë në banesën e shtetasit B. H.

Të dy të arrestuarit, janë dënuar më parë për vjedhje dhe për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel