Infektimet shtohen, por ulet kujdesi/ Farmacistët tregojnë se nuk po blihen më maskat dhe dezinfektantët

07/01/2023 15:25

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë raporton çdo ditë rreth 20-30 raste me Covid, në fakt ka më shumë të infektuar por jo të gjithë testohen.

Me virozat e stinës dhe grumbullimet e festave ka një përhapje në masë të infeksioneve virale. Por a është Covid apo një grip i lehtë kjo duhet konfirmuar nga institucionet shëndetësore. Çfarë dimë është se gjithsecili prej nesh ka dikë të sëmurë në shtëpi apo në punë…

“Në farmaci ka fluks, çka është normale për stinën e periudhën kur jemi dhjetor-janar. Se çfarë virozash janë, nëse është përzierje influencash me Covidin kjo duhet përcaktuar”, tha farmacistja Teuta Maçi.

Nga ana tjetër vihet re një shkujdesje në trajtimin e virozave dhe mbrojtjen ndaj tyre, e pakrahasueshme me periudhën e pandemisë, çka pasqyrohet edhe në shitjet e farmacive.

“Ne nuk mbrohemi aq sa duhet. Edhe frika ka rënë në krahasim me pandeminë, e bashkë me të edhe vigjilenca. Maskat dhe disifektantët kanë rënë në nivelin e para pandemisë, nuk ka mungesë por as kërkesë”, shtoi farmacistja.

Përvec testimeve, njerëzit po shmangin edhe konsultat me mjekun e po përpiqen të kalojnë në këmbë virozat, me ilaçe të lehta, megjithatë farmacistja Teuta Maçi tregon se nuk kanë munguar rastet e rënda që paraqiten me recetën mjekësore me antibiotikë.

“Trajtohen shqetësimet që shkaktojnë këto viroza, që janë përgjithësisht kolla e thatë, rrjedhja e hundëve, ndaj barnat që kërkohen më shumë janë ato që qetësojnë këto simptoma, tek tuk të shoqëruara edhe me vitamina. Në rast se zgjat gjendja më shumë se 5-6 ditë atëherë mjekët japin barna më të rënda natyrisht që jepen vetëm me recetë”, tregon Maçi.

Top Channel