Zyrtare/ Kushtetuesja merr vendimin, Veliaj rikthehet si kryetar Bashkie i Tiranës						Tre javë pas vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Selitë të Tiranës policia ka identifikuar dhe ka vënë në pranga një prej personave që mori pjesë në ekzekutim në rolin e vëzhguesit.
Sipas hetimeve të policisë, rezulton se grupi i vrasësve e kanë vëzhguar për disa ditë objektivin e tyre Edmond Papa në Sarandë dhe në Tiranë derisa gjetën momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një lokal pasditen e 16 dhjetorit në Tiranë. Seria e pamjeve të kamerave të sigurisë shërbeu për identifikimin e dy prej personave që morën pjesë në ekzekutim ndërkohë që në pranga ka rënë vetëm Albano Velo, i cili u arrestua më 1 janar sapo mbërriti në Rinas.
Albano Velo, djali i një punonjësi policie në kryeqytet, 4 ditë pas vrasjes u largua nga Shqipëria në drejtim të Francës. Duke menduar se nuk kishte lënë asnjë provë në ekzekutim, u rikthye në ndërrimin e viteve në atdhe ku u vu në pranga sapo mbërriti në Rinas. Pas arrestimit të tij me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, babai i tij Dilaver Velo që shërbente në komisariatin nr. 4 u pezullua nga detyra.
Ndërsa 44-vjeçari nga Tirana që bashkëpunoi në vrasjen e Papës, nuk mundi të vihet në pranga dhe u shpall në kërkim.
Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ndodhi si hakmarrje për ekzekutimin më 11 qershor të Aleksandër Sadikajt në kryeqytet. Dyshohet se para ngjarjes Sadikaj dhe Papa u takuan në hotelin e këtij të fundit në Sarandë ku kanë pasur mosmarrëveshje për sa i përket trafikut të drogës. Fill pas këtij takimi Aleksandër Sadikaj u ekzekutua me eksploziv që dyshohet se u porosit nga Papa. Për këtë arsye 6 muaj më vonë Albano Velo mik i ngushtë i Aleksandër Sadikajt së bashku me persona të tjerë të përfshirë ruajtën dhe ekzekutuan biznesmenin teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në kryeqytet pasditen e 16 dhjetorit.
Top Channel