Në ligjin për të drejtën e informimit parashikohet se nga lista e gjatë e informacioneve që duhen bërë publike pa kërkesë janë mes tyre struktura organizative e institucioneve, të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, por nga hulumtimi që Top Channel kreu në faqet e internetit të institucioneve shtetërore rezulton se kjo pikë nuk zbatohet.

Gjithashtu shumë rubrika virtuale  të ministrive ku duhet të shpalosin raportet, studimet, të dhëna të përditësuara janë ose bosh ose me vendime të viteve të shkuara.

Mungesa e transparencës sipas ekspertëve ndikon në përhapjen e lajmeve të rreme dhe  propagandës.

“Çdo sistem informacioni ka në fakt të përfshirë programin e transparencës, por jo të gjithë e zbatojnë. Informacionet nuk janë të updatuara. Ndërkohë duhet të kishte informacione më të fundit, por ka një neglizhencë dhe jo transparencë, po të shikosh janë vendime të vitit 2021, ndërkohë ne jemi në fund të 2022”, tha ekspertja e komunikimit, Holta Heba.

Edhe pse është detyrim ligjor e drejta e informimit, të dhënat e cunguara që publikohen online nuk përmbushin qëllimin e digjitalizimit.

 “Digjitalizimi duhet ti shërbejë publikut, të lehtësojë gjetjen e informacioneve. Kostot janë të shumta dhe ndërkohë informacionet janë të paplota ose nuk hidhen online”, shtoi Heba.

Akademikët vlerësojnë se institucionet qeveritare vit pas viti izolohen edhe më shumë dhe përpiqen të mbajnë të mbyllura në zyra shtetërore informacione me interes publik.

Top Channel