Kryetari i partisë opozitare, VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski tha të mërkurën se Maqedonia e Veriut në duhet të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas tij “janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja e rëndë, korrupsioni dhe paqëndrueshmëria politike”.

Në konferencën e fundit para mediave për vitin 2022, ai tha se prioritet i partisë së tij është që zgjedhjet të mbahen në maj të vitit tjetër, në datat 14 ose 21.

“Gjendja në vend është e padurueshme, por edhe brenda partive në pushtet, veçanërisht LSDM-së, BDI-së dhe Alternativës. Kërkohet një rivendosje e sistemit. Është joreale ajo që thotë [Kryeministri] Dimitar Kovaçevski, për zgjedhjet e vitit 2024, fillimisht zgjedhjet presidenciale dhe më pas ato parlamentare”.

“Në një rast të tillë zgjedhjet presidenciale do të jenë të pasuksesshme dhe postin do ta mbajë kryetari i Kuvendit, ndërsa BDI-ja përveç pozitës së kryetarit do të ketë edhe kryeministër teknik sipas marrëveshjes që kanë me LSDM-në, që do të thotë monopol nga një parti politike”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se opozita maqedonase nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicën bullgare në të, ashtu siç parashikohet në marrëveshjen me Sofjen, ngase “nuk do t’i japin fund kërkesave bullgare për të rrënuar identitetin maqedonas”.
Reagimi i i kreut të opozitës maqedonase vjen një ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, paralajmëroi se nga java e ardhshme do të intensifikohen konsultimet për sigurimin e shumicës prej dy të tretave në Kuvend, që janë të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës maqedonase.

Kërkesa për zgjedhje të parakohshme u mbështet edhe nga opozita shqiptare, e cila prioritet ka procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për akte të tilla politike dhe demokratike, siç janë zgjedhjet. Mirëpo, procesi i integrimeve evropiane, që nga dalja jonë në skenën politike, ka qenë gjithmonë një prioritet i madh dhe domethënës”, tha Naim Bajrami, zëdhënës i partisë Aleanca për Shqiptarët – i cili komentoi propozimin e VMRO DPMNE-së.

Edhe Lëvizja Besa kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, madje e kushtëzuar mbështetjen e saj për ndryshimet kushtetuese me shpalljen e zgjedhjeve të reja në vitin 2023.

Por, partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thanë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024 ndërsa në vitin 2023 do të mbahen vetëm se zgjedhjet e rregullta presidenciale./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA