Favorizimi tjetër thelbësor që i bëhet kompanive të hidrokarbureve është ndërtimi i një tregu që funksionon në bazë të çmimit ditor.
Një treg që me bordin, u ligjërua dhe konsolidua në favor të tregtarëve. Për të kuptuar se si funksionon tregu, do ti referohemi kësaj fature ngarkese të siguruar nga “Inside Story”, që bën fjalë për importin e një sasie nafte nga Egjipti vetëm 2 ditë para se të niste lufta në Ukrainë.
Nafta është nisur nga një anije me flamur danez nga porti “Sidi Kerir”. Aty sqarohet ngarkesa dhe destinacioni në Porto Romano. Çuditërisht, aty mungon çmimi i tregtimit por thuhet se çmimi është ai i rënë dakord në kontratë. Pra, brokeri që e importoi për llogari të kompanisë shqiptare, e sjell ngarkesën në depozitat e në Porto Romano dhe faturat që deklarohen në fund janë sipas çmimit ditor në bursë.
Për ta kuptuar më thjeshtë: në datë 21 Shkurt kur ngarkesa mbërrin në Porto Romano çmimi mund të ketë qenë 100 dollarë për fuçi. Por, nëse fatura finale plotësohet në datë 25 shkurt kur vlera mund të ketë kapërcyer në 120 dollarë, deklarimi bëhet me këtë çmimi ditor pavarësisht se importi është bërë me çmim më të lirë. Në thelb, kjo metodë funksionimi u ligjërua nga Bordi që i referohet çmimeve ditore në bursë.
“Qytetarët janë të shqetësuar tani pikërisht prej faktit se mungon transparenca. Aq më tepër që ti shikon që me tu rritur çmimi në burs ti regaon menjëherë. Në momentin që ulet çmimi në bursë bordi vazhdon dhe qëndron duke ruajtuar atë çmimin kartel”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Panajot Soko.
Në aktin e dytë normativ është luajtur me dy standarde sa i përket përllogaritjes së çmimit të gazit të lëngshëm. Akti normativ u ndryshua në këtë pikë me justifikimin se formula e parashikuar mbështetur në kushtet CIF MED ishte e aplikueshme për benzinën dhe gazoilin por nuk mund të aplikohej edhe për gazin e lëngshëm të naftës.
Kjo pasi edhe mënyra e importit ishte e ndryshme. Në momentin që gazi i lëngshëm mbërrin në portet shqiptare është pronë e porositësit të mallit. Ndryshe pra nga nafta siç sqaruam më sipër që konsiderohet pronë e brokerit edhe pse depozitohet në asetet e shqiptarëve. Për këtë qëllim është vendosur që çmimi të përcaktohet sipas faturës së importit të siguruar nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.
Top Channel