Rusia ka ndaluar shitjet e naftës për vendet dhe kompanitë që respektojnë një kufi çmimi të rënë dakord nga vendet perëndimore në fillim të këtij muaji.
Kufiri i çmimit – i cili u ra dakord nga grupi i kombeve G7, Australia dhe BE – hyri në fuqi më 5 dhjetor. Ky kufi i ndalon vendet të paguajnë më shumë se 60 dollarë (56 euro; 50 £) për fuçi naftë ruse.
Rusia tani ka thënë se nafta dhe produktet e saj të naftës nuk do t’i shiten askujt që vendos kufirin e çmimit. Dekreti presidencial thoshte se ndalimi do të hynte në fuqi për pesë muaj nga 1 shkurti deri më 1 korrik. Në njoftim thuhet gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin mund të jepte “leje të posaçme” për të furnizuar vendet që janë nën ndalimin.
Grupi G7 i ekonomive të mëdha parashtroi idenë e një kufiri çmimi në shtator, në mënyrë që të ndalonte Moskën nga përdorimi i të ardhurave nga nafta për të financuar luftën në Ukrainë.
Megjithëse kërkesa perëndimore për naftën ruse ra pas pushtimit, të ardhurat ruse mbetën të larta për shkak të rritjes së çmimeve dhe kërkesës gjetkë, duke përfshirë nga India dhe Kina.
Top Channel