Drejtori i NJKVKSH Tropojë naftën e institucionit e hedh në makinën e tij! Urdhëron shoferin të firmosë në kundërshtim me ligjin.

22/12/2022 20:40

Shoferi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tropojë, Murat Gjongecaj ankohet në emisionin Fiks Fare, se drejtori i këtij institucioni ka shkelur ligjin duke mos i kaluar shpërblimin e kovidit si staf mbështetës.

Ai tregon se gjithë periudhën e pandemisë ka qenë në punë në terren me grupet e epidemiologëve dhe ka çuar tampona në ISHP.

Ai tregon se gjithë kolegët e tjerë në NJVKSH të rretheve të tjera e kanë marrë këtë shpërblim.

“Që në këtë moment kanë nisur edhe përplasjet me drejtorin, i cili më kërkon që të firmosë sikur kam marrë naftë ndërkohë që drejtori e merr dhe e hedh në makinën e tij personale. Unë s’mund të shkoj në burg për drejtorin” thotë shoferi.

“Ai e merr naftën vetë, ta firmosi vetë” tregon Murati. Shoferi pohon se nuk ka marrë naftë dhe nuk ka lëvizur me makinë, naftën e ka marrë drejtori në makinën e tij personale, ndërkohë që i kërkon shoferit që faturat dhe fletë autorizimet ti firmosë. Murati tregon se kur ka refuzuar të firmosë drejtori e ka fyer në zyrat e shtetit.

Fiksi trasmetoi audio në të cilat drejtori Avni Boshnjaku i pranon shoferit se Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësorë të tjera jua kanë dhënë shpërblimin shoferave, por që ai e ka konceptuar të mos ja japë shoferit. Madje ai thotë “unë Kukësin dhe Hasin nuk i pyes përse e kanë dhënë , sepse në këto zona Tropoja vetëm ka marrë qen, por kurrë mend”.

Por fyerjet e drejtorit nuk mjaftojnë, kur shoferi refuzon të firmosë naftën që në fakt nuk e ka marrë, ai e quan, të pashkolluar, fshatarë dhe të paedukuar.

Nuk harron t’i kujtojë se edhe ai e ka ndihmuar shoferin më shumë se këdo në institucion, madje edhe duke shkelur ligjin.

Fiksi solli video të furnizimit të makinës personale të drejtorit, ndërkohë fatura del në emër të DSHP Tropojë. Dhe me targën e makinës së institucionit. Drejtori e urdhëron shoferin të firmosë në kundërshtim me ligjin, dhe i thotë se është ai titullar i institucionit dhe askush nuk duhet ta kundërshtojë.

Gazetarët e Fiksit shkojnë në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësorë Tropojë, i cili në një telefonatë me gazetaren e orientoi këtë të fundit të shkonte të merrte përgjigje te zyra e financës, sipas tij edhe nafta është e dokumentuar.

Por ky fakt u hodh poshtë nga shefja e financës e cila pohoi se ka autorizime nafte të pafirmosura nga shoferi dhe se drejtori që hedh naftën në makinë e tij ka shkelur ligjin.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel