Thumanë-Kashar nis pa leje ndërtimi/ Gener 2 nisi punën më 20 nëntor, vetëm dje mori një leje zhvillimi

15/12/2022 15:07

Kompania ‘Gener 2’ filloi punimet në aksin rrugor Thumanë – Kashar, ende pa marrë lejen e zhvillimit, pra dokumentin që do të përcaktonte kushtet zhvillimore dhe do të shërbente si bazë për lejen e ndërtimit.

Në rendin e ditës të mbledhjes se Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 14 Dhjetor është shënuar pajisja me leje zhvillimi e kompanisë koncesionare “Gener 2”, ndërkohë që punimet kanë filluar të paktën që prej datës 20 nëntor, pa pasur asnjë dokument që i lejon kompanisë fillimin e ndërtimit të këtij aksi rrugor.

Banorët e fshatit Bërxullë prej më shumë se një muaji po protestojnë nën argumentin se firma e ndërtimit ka devijuar projektin fillestar, madje ka shkuar edhe më tej duke bllokuar kolektorët e shkarkimit, çka ka bërë që disa hektarë tokë të përmbyten.

Gjithashtu banorët shprehin shqetësimin se vlera e tokës së tyre po minimizohet dhe kompensimi që marrin nga shpronësimi është larg vlerës reale të tokës.

Kontrata koncesionare për aksin Thumanë Kashar kap shifrën e 245 milionë eurosh. Krahas kësaj, qytetarët do të paguajnë edhe taksë për kalimin me makinë në këtë aks rrugor, nga e cila është parashikuar të mblidhen mbi 1.3 miliardë euro gjate 35 viteve të koncesionit.

Ministria e Infrastrukturës ndërkohë i garanton fitimin koncesionarit me një fond prej dhjetëra milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA