Mikesha e Giorgia Melonit në mesin e tre të vdekurave pas të shtënave në një kafene në Romë

12/12/2022 10:24

“Nuk është e drejtë të vdesësh kështu”, kështu e nis reagimin e saj kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, mbi ngjarjen e rëndë që u regjistrua një ditë më parë në Romë.

Meloni zbulon se një prej viktimave, Nicoletta Golisano, ishte mikeshë e saj, ndërsa ka publikuar në rrjete sociale foton e fundit të shkrepur me të.

“Nuk është e drejtë të vdesësh kështu. Nicoletta ishte e lumtur dhe e bukur me fustanin e kuq që bleu për ditëlindjen e saj të 50-të disa javë më parë. Për mua ajo do të jetë gjithmonë e bukur dhe e lumtur kështu.”- shkruan Meloni, ndërsa shton se Nicoletta ishte e martuar dhe ishte nënë e një fëmije vetëm 10 vjeç.

Kryeministrja tha se një poligon qitjeje nga i cili i autori kishte marrë armën e përdorur në sulm ishte mbyllur dhe ishte vënë nën hetim nga autoritetet.

Kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, thirri një mbledhje urgjente sigurie për të hënën pas asaj që ai e quajti “episodin e rëndë të dhunës që ka goditur qytetin tonë”.

Tre gra mbetën të vrara një ditë më parë, kur një burrë hapi zjarr në një kafene në Romë, duke plagosur katër persona të tjerë, njwri prej tyre në gjendje të rëndë.

I dyshuari, 57 vjeç, kishte qenë në një sërë mosmarrëveshjesh me shoqatën e banorëve, tha një dëshmitar për Rai News në Itali.

“Ai hyri në dhomë, mbylli derën dhe bërtiti ‘Do t’ju vras të gjithëve’ dhe më pas filloi të qëllonte,” citoi agjencia një tjetër dëshmitar.

Top Channel