Zjarr në qendrën tregtare, një i vdekur në Rusi: Është akt i qëllimshëm!

09/12/2022 12:19

Një prej qendrave më të mëdha tregtare të Rusisë u përfshi nga një zjarr gjigant që i kushtoi jetën një personi.

Autoritetet vendase dyshojnë se bëhet fjalë për një akt kriminal, dhe se kanë të bëjnë me zjarrvënie të qëllimshme.

Zjarri shpërtheu në orët e para të ditës së sotme, dhe u përhap me shpejtësi duke ngjallur panik mes njerëzve, disa prej të cilëve u panë të vraponin drejt vendit te parkimit.Ngjarja ndodhi në qendrën tregtare Mega Khimki, në veri të Moskës, rreth shtatë kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar Sheremetyevo.

“Zjarrfikësit janë duke luftuar me flakët në një sipërfaqe prej 7000 m2 në rajonin e kryeqytetit”, njoftoi në Telegram Ministria Ruse e Situatave të Emergjencës.

“Për shkak të shembjes së çatisë, zjarri u përhap menjëherë në një zonë të madhe”, thuhet më tej në njoftim, ku përmenden gjithashtu vështirësitë e zjarrfikësve që punojnë në vendngjarje.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax foli për akte të qëllimshme, dhe Sputnik specifikoi se vepra kriminale është “një nga shpjegimet kryesore” që po merren në konsideratë për këtë zjarr. Agjencitë shtetërore më pas përmendën shkeljen e standardeve të sigurisë si origjinën e mundshme të flakëve. Qendra tregtare në fjalë ishte shtëpi e shumë markave të njohura perëndimorë, përpara se ato të tërhiqeshin nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.

Top Channel