Papa Leoni XIV diagnostikohet me kancer në mushkëri, Vatikani: Operacioni përfundoi me sukses

13/10/2026 22:50

Papa Leoni XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë. Lajmi është bërë i ditur nga Vatikani përmes një njoftimi mjekësor.

71-vjeçari iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 90 minuta në spitalin Gemelli në Romë, të martën. Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja përfundoi me sukses dhe Papa u zgjua normalisht pas operacionit.

“Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u kthye në dhomën e tij në katin e dhjetë”, thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Masa në mushkëri ishte zbuluar gjatë kontrolleve mjekësore rutinë. Vetë Papa kishte bërë të ditur të dielën se formacioni ishte i kufizuar dhe ishte zbuluar në një fazë shumë të hershme, por mjekët i kishin rekomanduar heqjen e tij përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

Papa do të qëndrojë në rikuperim deri më 20 tetor

Ekipi i kirurgjisë torakale në spitalin Gemelli kreu ndërhyrjen, ndërsa axhenda e Papës është liruar deri më 20 tetor, për t’i dhënë kohë të rikuperohet.

Vatikani ka theksuar se Papa nuk kishte shfaqur simptoma infeksioni apo sëmundjeje. Kardinali Tarcisio Isao Kikuchi i Tokios bëri të ditur në rrjetet sociale se ishte takuar me Papën të hënën dhe se ai i kishte thënë se fizikisht nuk ndiente asgjë të pazakontë.

Sipas kardinalit, Papa vendosi ta kryente ndërhyrjen sa më shpejt, pasi në fillim të nëntorit pritet të udhëtojë drejt Amerikës Latine. Vizita ka rëndësi të veçantë, pasi përfshin Perunë, ku ai shërbeu për shumë vite si misionar dhe më pas si ipeshkëv.

Diagnoza ka shkaktuar shqetësim te besimtarët katolikë në mbarë botën. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, pranoi se ishte i shqetësuar nga lajmi.

“A jam i shqetësuar? Po, sepse sigurisht që nuk e prisja diçka të tillë”, u shpreh ai para gazetarëve të martën.

Parolin e cilësoi lajmin si një goditje të papritur, por theksoi se kardinalët ishin impresionuar nga qetësia e Papës dhe shpresonin në rikuperimin e tij.

Mjekët theksojnë se formacionet në mushkëri nuk janë domosdoshmërisht kancerogjene, por zakonisht analizohen pas heqjes për të përcaktuar natyrën e tyre. Në rastin e Papës, Vatikani ka konfirmuar diagnozën e adenokarcinomës së mushkërisë.

Për momentin, Selia e Shenjtë nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme mbi trajtimin pas operacionit, ndërsa vëmendja mbetet te rikuperimi i Papës dhe mundësia që ai të realizojë udhëtimin e planifikuar në Amerikën Latine në nëntor.

Top Channel