Ndryshon buxheti, rriten shpenzimet/ Shtesat shkojnë për të paguar punët e rindërtimit të lëna në mes

07/12/2022 15:06

Qeveria ka rishikuar sërish buxhetin me akt normativ, duke rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe zërin e shpenzimeve.

Me ndryshimet e fundit, të ardhurat rriten me 5 miliardë lekë duke arritur në 581.8 miliardë lekë dhe po kaq janë shtuar edhe shpenzimet buxhetore duke prekur nivelin e 665.6 miliardë lekëve.

Sipas aktit normativ të botuar në Fletoren Zyrtare shpenzimet shtesë do të shkojnë kryesisht për programin e rindërtimit, që do të mbulojnë një pjesë të tyre ndërsa pjesa tjetër është planifikuar të plotësohet nga paratë e projekteve që nuk janë realizuar sipas planit.

“Në varësi të ecurisë së projekteve të rindërtimit, ministri përgjegjës për Financat rialokon fondet, të cilat janë ngurtësuar nëpërmjet vendimeve të Këshillit të Ministrave”, thuhet në Aktin Normativ duke bërë që përmes këtyre fondeve shtesë të bëhet likuidimi i faturave për investimet e kryera.

Në fillim të vitit qeveria kishte alokuar një fond prej 20 miliardë lekë për këtë proces, por me rishikimin e fundit të buxhetit fondet për këtë qëllim rriten duke bërë që totali i tyre të arrijë në 32.4 miliardë lekë.

Ndërhyrje të tjera në buxhet përfshijnë një shtesë fondi prej 1 miliardë lekë për bashkitë e vendit, kryesisht për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që është edhe një nga problematikat më të mëdha të pushtetit vendor.

Po ashtu, rritet fondi rezervë në 3.5 miliardë lekë, shkurtohet me gati 700 milionë lekë fondi për politikat e pagave krahasuar me aktin normativ të korrikut si dhe fondi prej 3 miliardë lekë i planifikuar për shpronësimet shfuqizohet përmes këtij akti normativ.

Ndërkohë, deficiti buxhetor vijon të mbetet i pandryshuar dhe sipas Financave qëndron në nivelin e 83.8 miliardë lekëve. deficit faktik I buxhetit të shtetit specifikohet në dokument mund për financohet përmes huamarrjes në tregun e brendshëm deri në kufirin maksimal prej 33 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër përmes huamarrjes nga burime të huaja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA