Ndërtimi po shtrenjtohet/ Kostot u rritën 5% ndërsa çmimet në 6 muaj janë rritur me 39%

05/12/2022 15:04

Kostot e ndërtimit janë rritur ndjeshëm. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti në 109.4%.

Si raport vjetor, kostot e ndërtimit janë rritur me gati 5% më shumë duke reflektuar edhe ndryshimet në tregjet globale.

Rritja më e madhe është konstatuar për shpenzimet e energjisë elektrike me 15.5% më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shtrenjtim të ndjeshëm kanë parë edhe grupet e tjera si ato për materiale ndërtimi si dhe ato për makineritë që përdoren në këtë sektor. Edhe kostot për transportin janë rritur tremujorin e tretë të vitit si rrjedhojë e shtrenjtimit të karburanteve, ndërsa statistikat e INSTAT flasin edhe për rritje të shpenzimeve për pagesat e punëtorëve.

Teksa kostot në ndërtim rriten, rritja e çmimit të apartamenteve nga ana tjetër është edhe më e shpejtë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përgjatë 6-mujorit të parë të vitit çmimet e apartamenteve në rang vendi janë rritur me gati 39% më shumë se vitin e kaluar, ndërsa në Tiranë rritja ka qenë edhe më e lartë.

Pritshmëritë janë që rritja e çmimeve të vijojë edhe më tej sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë ku megjithëse treguesi i besimit në ndërtim ra në muajin tetor, ndikuar nga aktiviteti ndërtues dhe kontratat porositëse, sërish ndërtuesit janë optimistë në drejtim të shtrenjtimit të çmimeve edhe në muajt në vijim.

Përballë këtij vrulli të ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme në vend, po ngushtohen gjithnjë e më shumë mundësitë për të blerë një banesë me çmime të favorshme dhe në kohë më të shkurtër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA