Një seri kërcënimesh anonime me bombë alarmuan Kroacinë të hënën. Disa stacione policie, qendra tregtare dhe gjykata, duke përfshirë edhe atë supreme, e cila po mbante një takim me një delegacion nga Ukraina u evakuuan me shpejtësi.
Policia tha se mori disa raporte për bomba që ishin vendosur në disa lokacione të ndryshme në të gjithë vendin.
Media kroate raportojnë se nga kontrollet e policisë deri më tani nuk kanë gjetur asnjë pajisje shpërthyese.
Radovan Dobronic, Presidenti i Gjykatës së Lartë kroate, i tha televizionit shtetëror HRT se një oficer sigurie e informoi atë për kërcënimin me bombë teksa po takohej me një delegacion nga gjykata supreme e Ukrainës, duke shtuar se atij i dukej se kërcënimi ishte i lidhur me takimin në fjalë.
Kërcënimet anonime, vijnë mes një debati brenda udhëheqjes kroate nëse Bashkimi Evropian dhe vendi anëtar i NATO-s duhet t’i bashkohen një nisme perëndimore për të filluar trajnimin e ushtarëve ukrainas kundër forcave pushtuese ruse.
Qeveria e Kroacisë është kryesisht në favor të fillimit të trajnimit, ndërsa presidenti Zoran Milanoviç është kundër tij, duke thënë se kjo do të nënkuptonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kroacisë në luftë.
Kërcënimet anonime për bomba erdhën vetëm disa ditë pasi ambasadat dhe konsullatat e Ukrainës në gjashtë vende evropiane, përfshirë Kroacinë, kishin marrë pako me sy kafshësh.
Nuk ka ende raporte se kush i ka dërguar këto pako dhe për çfarë qëllimi.
Top Channel