Skuadra braziliane nuk e priste, në këtë pikë të turneut, që të kishte kaq shumë dëmtime.
Para fillimit të Kupës së Botë, “Seleçao” ishte një nga të paktat skuadra favorite që nuk kishte pësuar asnjë dëmtim, një situatë që bie në kontrast të jashtëzakonshëm me atë që po përjeton aktualisht formacioni i Tites.
Dëmtimet e Gabriel Jesús dhe Alex Telles, të dy jashtë Botërorit, e vendosën në udhëkryq trajnerin, të cilit mund t’i duhet të improvizojë në pozicionin e mbrojtësit të majtë, këtë të hënë, ndaj Koresë së Jugut në fazën e 1/16 të Kupës së Botës.
Nëse ka një gjë të sigurt, është se Alex Sandro, i dëmtuar në këmbën e majtë, nuk do të jetë në formën e duhur, madje mund të mungojë, sipas informacioneve të fundit nga “Globo Esporte”.
Stafi mjekësor i skuadrës, në funksion të ngjarjeve të fundit, nuk dëshiron të rrezikojë me të vetmin mbrojtës të majtë në dispozicion që ka Brazili. Tites gjithashtu iu desh të improvizonte kundër Kamerunit, duke e vendosur Marquinhos në krah, në një pozicion të paprecedentë për kapitenin e PSG-së.
Në fakt, goli i Aboubakar për “Luanët e Pamposhtur”, që çoi në fitoren e Kamerunit ndaj Brazilit, erdhi nga sektori i majtë. Marquinhos është një qendërmbrojtës i shkëlqyer, nuk ka dyshime për këtë, por ai nuk është një mbrojtës i majtë dhe këtë e tregoi në rastin e golit të skuadrës afrikane. Alex Sandro është në fazën e riaftësimit dhe prania e tij ndaj Koresë është në pikëpyetje për momentin.
Një tjetër mundësi (përveç Marquinhos), që Tite po shqyrton, është të ndryshojë pozicionin e Militaos. Lojtari i Realit të Madridit, i cili tashmë ka luajtur si mbrojtës i djathtë në këtë Botëror, ka pasur minuta edhe si mbrojtës i majtë me Brazilin në dy ndeshjet e “Copa América 2019”, kundër Kilit në çerekfinale dhe kundër Perusë në gjysmëfinale. Të hënën do të hiqen të gjitha këto dyshime.
Top Channel